
Ministri i Komunikacionit në Irak paraqiti ditën e hënë dorëheqjen e tij të parevokueshme, pasi akuzoi kryeministrin Nouri al-Maliki për “refuzim të heqjes dorë nga ndikimi i paligjshëm politik në Ministri”.
Kryeministri preferoi që të heshte mbi skandalin, duke u mjaftuar me një komunikatë, në të cilin njoftohej pranimi i dorëheqjes së Tawfiq Allawit.
Ai është anëtari i parë që dorëhiqet prej kabinetit të pajtimit kombëtar, formuar në vitin 2010.
Një vit më parë, Ministri i Energjitikës, Raad Shallal al-Ani, një i pavarur, u shkarkua pasi autorizoi 1,5 miliardë euro kontrata abuzive dhe të papërshtatshme për kompanitë e huaja të energjitikës.
Iraku, një vend i përçarë nga mungesa e rendit dhe lufta ndërfetare, përballet me një mungesë kronike të efikasitetit të institucioneve dhe një korrupsion galopant.
Kryeministri Al-Maliki është akuzuar edhe më parë nga opozita si “një diktator”, i cili synon të vendosë nën kontroll të gjithë jetën politike dhe ekonomike të vendit.
Top Channel