Piromani i shumëkërkuar, që në javët e fundit kishte përhapur panik në Greqi, është arrestuar nga policia e këtij vendi.

Agjentët e skuadrës anti-piromanë kanë ndaluar një djalë 24-vjeçar që konsiderohet përgjegjës se ka ndezur të paktën 14 zjarre, që kanë shkrumbuar për pothuajse një javë ishullin Hios.

Motivi? Nuk ishte pranuar në radhët e zjarrfikësve. Djali, që është i biri i një zjarrfikësi, ka pranuar se ka vënë zjarrin në pjesën veriore të ishullit, por jo të parin, që ra më 18 korrik.

Flakët kanë shkatërruar rreth 15 mijë hektarë sipërfaqe të mbjella dhe pyjore, mes të cilave shumë pemë nga të cilat nxirret lënda e përdorur për të prodhuar çamçakëzin, që është dhe burimi kryesor ekonomik i ishullit.

Në bazë të të dhënave të fundit të bëra publike nga shërbimet pyjore helene, këtë verë në Greqi janë shkatërruar nga flakët, kryesisht të qëllimshme, mbi 40 mijë hektarë pyje dhe terrene të kultivuara, krahasuar me 35 mijë hektarë që u shkatërruan vitin e kaluar.

Ndërsa numri i zjarreve të rëna që nga fillimi i këtij viti e deri në muajin qershor është rritur me 19 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011.

Përsa u përket zjarreve, viti më i keq për Greqinë ka qenë 2007-a, ku rreth 4.500 raste shkatërruan rreth 270 mijë hektarë pyje dhe të mbjella, duke shkaktuar edhe 77 viktima dhe dëme për 645 milionë euro në shtatë prefektura të vendit.

Nga këto zjarre mbetën të vdekura edhe 25 mijë kafshë, kryesisht dele, dhi, lopë dhe kuaj, si dhe u shkatërruan rreth 20 mijë fole bletësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA