Kriza ekonomike në vendet fqinje si Greqi dhe Itali ka detyruar shumë emigrantë të kthehen në atdhe duke bërë që fëmijët të ndërpresin studimet në vendet përkatëse për t’i vijuar ato në shkollat shqiptare.
Ministria e Arsimit kërkon që të gjithë ata që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë Shqipërisë të nxitojnë të ekuivalentojnë dëftesat duke dhënë ose jo provime shtesë në mënyrë që sa më parë të mund të tërheqin formularin A3 i cili u jep mundësi atyre të mos humbin një vit e të vijojnë studimet e larta në atdhe.
Fatmir Vejsiu, drejtor i arsimit parauniveristar, shpjegon: “Kemi një fenomen: një pjesë e mirë e emigrantëve po kthehen për të vazhduaar shkollën e lartë. Më 15-25 gusht është procesi i ekuivalentimit të diplomave të maturës.”
Por për formularin A3 u jepet një tjetër mundësi të gjithë atyre që nuk arritën të futeshin në Maturën Shtetërore pasi ishin ngelës në një apo 2 lëndë në fund të vitit shkollor, apo dhe ata që nuk arritën të kalonin provimet e lirimit të Maturës Shtetërore. Këta më parë duhet të japin provimet në 27 dhe 29 gusht.
Të gjithë ata që janë të interesuar duhet të paraqiten në shkollat e mesme ku dhe kanë studiuar në mënyrë që të aplikojnë për formularin A3 për të vijuar studimet e larta.
Top Channel