Britani-Ekuador, merr fund kriza

26/08/2012 18:20

Presidenti i Ekuadorit ka deklaruar se Britania ka hequr dorë nga kërcënimi i saj për të hyrë me forcë në ambasadën ekuadoriane në Londër, për të arrestuar themeluesin e Wikileaks, Julian Assange.

Rafael Correa tha për gazetarët se qeveria e tij e konsideron të “marrë fund” këtë incident, duke pasur edhe garanci nga vetë Mbretëria e Bashkuar.

Një përplasje diplomatike shpërtheu pasi Ekuadori i dha azil zotit Assange, që do të përballej me ekstradimin në Suedi ku akuzohet për agresione seksuale, akuza të cilat ai i mohon.

Nga ana e saj Britania e Madhe deklaron se nuk ka bërë asnjëherë ndonjë kërcënim. Foreign Office deklaroi se i kishte dërguar një letër zyrtare ambasadës ekuadoriane ditën e premte, me synimin për të qetësuar tensionet dhe për të mundësuar rifillimin e bisedimeve.

“Ne e konsiderojmë të përfunduar këtë incident fatkeq, të shkaktuar nga gabimi diplomatik i britanikëve që thanë se do të hynin në ambasadën tonë”, ka deklaruar Correa.

Qeveria e Ekuadorit deklaroi gjithashtu se kishte marrë një komunikim nga Foreign Office, në të cilin thuhej se s’kishte asnjë rrezik që autoritetet të hynin në ambasadë.

Më herët gjatë muajit Ekuadori e paralajmëroi Britaninë se nëse do të futej në ambasadën në Londër do të shkaktonte një “vetëvrasje diplomatike”.

Kjo deklaratë erdhi pasi zyrtarë të Mbretërisë së Bashkuar deklaruan se një ligj i vitit 1987 i jepte policisë autoritetin për t’u futur në selitë diplomatike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA