Venezuelë, rafineria në flakë, dhjetëra viktima

25/08/2012 15:45

Një shpërthim gazi në rafinerinë më të madhe të naftës në Venezuelë ka shkaktuar të paktën 24 viktima, ndërsa një zjarr intensiv ka dalë jashtë kontrollit të forcave zjarrëfikëse.

Të paktën 53 janë të lënduarit, nga shpërthimi dhe flakët që tronditën rafinerinë në Amuai, mëngjesin e së shtunës.

Sipas guvernatores shtetërore, disa dhjetëra banesa të ndodhura pranë janë dëmtuar, ndërsa banorët e zonës janë shpërngulur si masë paraprake sigurie.

Ushtria venezueliane është duke asistuar forcat zjarrëfikëse dhe ndonëse flakët janë të fuqishme, mediat vendase shprehen të inkurajuara nga fakti që nuk pritet të ketë më shpërthime të tjera.

Sipas analistëve, rafineritë e Venezuelës, prodhuesit më të madh të naftës në Amerikën e Jugut, kanë vuajtur prej kohësh nga një sërë problemesh, midis të cilave renditen mungesa e dritave apo aksidentet në punë.

Është ende e paqartë nëse aksidenti në fjalë do të ketë ndikim në kuotat e eksportit të Venezuelës, që mund të ndikojnë edhe në çmimin botëror të karburanteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA