Prej tre ditësh qyteti i Bulqizës është pushtuar nga tymi i pyjeve përreth që po digjen.

Zjarri është hapur në një rreze shumë të madhe prej 20 kilometrash duke dëmtuar pyjet në verilindje të malit të Bardhë mbi fshatin Homesh, Qafa e Dragunit dhe Luçanë.

Djegia e shkurreve dhe pishave në këtë zonë është kthyer në kërcënim edhe për banorët në fshatin Dragu të komunës Fushë-Bulqizë, ku një vatër e fuqishme zjarri e shfaqur para 3 ditësh ka përfshirë gjithë malin mbi këtë fshat.  

Banorët prej disa ditësh po punojnë vetë për të penguar avancimin e flakëve. Bashkë me ta janë dhe punonjësit e komunës. Banorët kanë shtrirë rreth 1 kilometër tubacione uji për të mundësuar që zjarri të mos përparojë drejt banesave të tyre.

E vetmja zjarrfikëse që disponon rrethi i Bulqizës vijon të qëndrojë në vendngjarje, por pa mundur të veprojë për fikjen e zjarrit, për shkak të terrenit malor.  

Ndërkohë zjarret në Luçanë, në afërsi të minierës së Bulqizës, ku deri më tani nuk ka asnjë ndërhyrje për izolimin e tij për shkak të temperaturave të larta dhe erës kanë vijuar të përparojnë deri në afërsi të galerive të Zonës D, si dhe në afërsi të rrugës nacionale Qafë-Bualli-Krastë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB