SHBA, skandali i gjykatësit anti-Obama

24/08/2012 15:55

Demokratët në shtetin amerikan të Teksasit kanë bashkuar zërat në thirrjen e tyre për dorëheqjen e kryegjyqtarit të një krahine (konteje), i cili paralajmëroi gjatë javës se vendi do të përfshihet nga lufta civile nëse Presidenti Barack Obama do të fitonte një mandat të dytë.

”Është detyra e gjyqtarit Tom Head që të bëjë gjënë e duhur dhe të japë dorëheqjen, në mënyrë që të mos turpërojë dhe zhgënjejë njerëzit që e zgjodhën gjyqtarë të kontesë Lubok”, deklaroi Kenny Ketner, kryetari rajonal i demokratëve.

”Do të doja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të fitonin vëmendje botërore për diçka tjetër, në vend të një gjykatësi të çmendur”, shtoi Ketner për “CNN”.

Nga ana e tyre, kryetari i republikanëve në Teksas, Carl Tepper, akuzoi demokratët “për oportunizëm” dhe “krjimin e një skandali atje ku nuk ka një të tillë”. Ai shtoi se kishte telefonuar gjykatësin për t’i ofruar mbështetjen e tij morale personalisht.

”Unë nuk ndaj të njëjtën pikëpamje me gjyqtarin Head, por e kuptoj që kushdo ka opinionin e tij dhe e respektoj këtë. Mendoj se secili prej nesh mund të mos jetë dakord në mënyrë të respektueshme me nëj zyrtar të zgjedhur, që mund të vazhdojë të bëjë detyrën e tij në postin në të cilin shërben”, vlerësoi kryerepublikani teksan.

Në komentin e tij, Head sugjeroi gjithashtu se do të lindë nevoja për një rezistencë popullore, pasi Obama do të sjellë trupat e NATO-s dhe OKB-së për të “pushtuar” vendin e tij.

Top Channel