Pukë, fëmija bie nga kati i tretë

24/08/2012 00:00

Roja i sigurisë së një banke është kthyer në një hero të premten, pasi
ka shpëtuar jetën e një fëmije tre vjeç, i cili ka rënë nga kati i tretë
i një pallati.

Ngjarja e rrallë ka ndodhur dje në mesditë në Pukë, kur i mituri ka shpëtuar për mrekulli, pasi është pritur me duar nga punonjësi, i cili e ka parë rastësisht, duke rënë nga ballkoni. Shpëtimi i fëmijës nga roja i bankës, që ndodhet në katin përdhes të pallatit, ka ndodhur rreth orës 12 e gjysmë në qendër të qytetit.

Sipas të dhënave, fëmija tre vjeç, Aldomir Ballshi, ka qenë me nënën e tij në shtëpi, kur i ka shpëtuar vëmendjes së saj, duke dalë te dritarja e banesës në katin e tretë të një pallati trekatësh. Aty, ai ka hipur në pjesën e parvazit të dritares dhe ka rrëshqitur poshtë.

Gjithçka duket se ka ndodhur, pasi vëmendja e fëmijës është tërhequr nga një lodër, që i ka shpëtuar nga duart, duke rënë poshtë. Por fëmija, para se të pritej nga roja i bankës, ka marrë një goditje te disa tabela që ndodheshin një kat më poshtë.

Aktualisht fëmija është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës, ku i është nënshtruar ndërhyrjeve mjekësore dhe mësohet se falë pritjes nga roja i bankës, i ka shpëtuar vdekjes. Megjithatë, heroi që shpëtoi jetën e trevjeçarit tregohet i thjeshtë, teksa rrëfen momentin, kur i shpëtoi jetën të miturit dhe pret gjithë ankth informacione sa më të gëzueshme për jetën e tij, pasi e kanë dërguar në spital. Personi që i ka shpëtuar jetën fëmijës, roja i bankës, Aleksandër Laçi, tregon me detaje për “Shqip” momentin kur e ka pritur para duarve fëmijën e mitur.

Ku ishit në atë moment?

Po bëja një kontroll rutinë tek automati dhe rreth bankës, pasi më tërhoqi vëmendjen një zhurmë. Kur u afrova tek automati pashë një lodër fëmije që kishte rënë në trotuar para bankës. Ngrita kokën lart kur pashë një fëmijë në katin e tretë tek dritarja.

Çfarë ndodhi më pas?

Ishte një moment shumë i vështirë, pasi nuk doja të frikësoja fëmijën, por në të njëjtën kohë doja të thërrisja njerëzit e shtëpisë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe fëmija nxori në fillim këmbët te dritarja, më pas gjithë trupin dhe aty humbi ekuilibrin dhe ra nga dritarja. Kur ra, 3-vjeçari u përplas pak te telat e rrobave në katin e dytë dhe më pas ndeshi te tabela e bankës. Në këtë kohë, bëja lëvizje sa majtas e djathtas, duke ndjekur me sy fëmijën dhe në fund e prita. Madje, u mundova ta bëja këtë veprim me shumë delikatesë për të mos e dëmtuar, pasi rënia ishte shumë e shpejtë.

Si paraqitej gjendja e fëmijës?

Në fillim vetëm sa qante. Ishte i traumatizuar, por nuk dukej keq. Menjëherë u afruan njerëzit dhe e dërguan me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës. Më pas, fëmija ka pasur disa të vjella, por tani që folëm në telefon, na thanë së është nën kujdesin e mjekëve dhe duket se nuk ka më rrezik për jetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB