Meta: T’i lemë llogaritë e zgjedhjeve

24/08/2012 00:00

Nga kampingu veror i të rinjve të LRI-së në Jalë, kreu LSI-s Ilir Meta
ka apeluar që klasa politike shqiptare t’i lërë mënjanë llogaritë
elektorale të 2013-s, në mënyrë për të evituar dëmtimin e marrjes së
statusit të vëndit kandidat për në BE.

“Klasa politike tha Ilir Meta  nuk duhet të cenojë festën e madhe të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar me një politikë mendjengushte dhe afatshkurtër.  

“Ethet e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe llogaritë elektorale të 2013-s asnjë forcë politike të mos i bëjë në dëm të statusit kandidat për në Bashkimin Europian që vendi duhet të marrë në vjeshtën e këtij viti, në mënyrë që ta festojmë të gjithë 100-vjetorin e Pavarësisë, jo vetëm me krenarinë për të gjithë ato breza, gjenerata patriotësh të cilët krijuan me aq mund dhe sakrifica shtetin tonë por njëkohësisht edhe për të pasur një vlerësim sado minimal për klasën e sotme politike e cila nuk duhet që të cenojë këtë festë të 100-vjetorit me një politikë mendjengushtë dhe njëkohësisht afatshkurtër e cila më shumë se sa për të rritur dinjitetin e vendit në raport me familjen eruopiane, edhe në raport me rolin që Shqipëria luan për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Ilir Meta kërkoi që për hir të marrjes së statusit të vëndit kandidat politika shqiptare me nisjen e sezonit të ri parlamentar, duhet të ketë si prioritet daljen nga ngërçi për çështjen e imuniteteve.

“Ndaj është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje e domosdoshme brenda javëve të para të shtatorit për çështjen e imuniteteve, në mënyrë që të konsolidohet mundësia për marrjen e statusit kandidat sepse përfitimet e Shqipërisë janë të shumta ashtu sikurse çdo vonesë do të jetë e kushtueshme dhe me pasoja afatgjata”, tha Meta.

Siç njofton zyra e shtypit e LSI-së me qindra të rinj nga e gjithë Shqipëria, anëtarë dhe simpatizantë të forumit rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë në këtë kamp rinor, ku aktivitetet politike, kulturore dhe argëtuese janë kryefjala e 5 ditëve të qëndrimit në bregdetin e bukur të Jalës.

Top Channel