
Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, i kërkoi Kancelares Angela Merkel që ti japë vendit hapësirë për të “marrë frymë”, pas një takimi midis dy liderave në Berlin.
Nga ana e saj, Kancelarja Merkel premtoi se nuk “do të bëjë gjykime të parakohshme” rreth progresit të Greqisë në përmbushjen e objektivave të parashikuara, të cilat do të vlerësohen në një raport zyrtar gjatë muajit të ardhshëm.
Merkel shtoi se dëshira e Gjermanisë është që Greqia të vazhdojë të mbetet në Eurozonë, por theksoi se në mënyrë që diçka e tillë të ndodhë, duhet të realizohen reforma të thella dhe gjithpërfshirëse.
”Jemi të vendosur të realizojmë angazhimet tona dhe në fakt, këtë jemi duke bërë. Nuk po kërkojmë për më shumë para, por vetëm për pak kohë që të marrim frymë”, u shpreh kryeministri Samaras.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane dhe Komisioni Europian, kreditorët e Greqisë të njohur me emrin “trojka”, janë duke vlerësuar gjendjen e financave helene, përpara akordimit të këstit të fundit të kredisë.
Ditën e enjte, në një takim të liderave të dy ekonomive kryesore të Eurozonës, Kancelares Merkel dhe Presidentit të Francës, Francois Hollande, iu kërkua Athinës zyrtare që të përshpejtojë reformat dhe shkurtimet e parashikuara në bisedimet e mëparshme.
Top Channel