
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson ka deklaruar se delegacionet e Beogradit e të Prishtinës do të vendosin për temat e bisedimeve në nivelin e lartë.
Jacobson supozon se çështja e veriut do të jetë pjesë e dialogut. Ajo ka deklaruar për radion e Mitrovicës “Kontakt plus”, se SHBA përkrahin fuqishëm proçesin e normalizimit të marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës dhe se zgjidhjen për veriun e sheh “brenda propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”.
Ambasadorja ka vlerësuar se ky propozim do t’i jepte disa garanci bashkësisë serbe në Kosovë dhe ajo me këtë rast ka përmendur vendet e garantuara në Parlament, mundësinë e arsimimit sipas programit të Serbisë dhe mundësinë e zgjedhjes së nëpunësve policorë.
“Sa i përket veriut të Kosovës, dëshirojmë që aty të ketë zhvillim kapacitetesh të vetadministrimit lokal e të shoqërisë civile dhe këto janë gjëra që i kemi dëgjuar nga vetë qytetarët”, ka thënë Jacobson.
Diplomatja amerikane ka shtuar se është me rëndësi fakti që qeveria e Serbisë ka shfaqur gatishmëri që të hyjë në bisedime dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura.
“Qeveria e SHBA në mënyrë konstante fton autoritetet në Beograd që të pezullojnë institucionet paralele dhe që në mënyrë transparente të bashkëpunojnë me qeverinë e Kosovës”, ka thënë Jacobson, duke e vlerësuar situatën në veri si të brishtë.
Top Channel