
Agjensia e refugjatëve brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara deklaroi e numri i sirianëve të shpërngulur në vendet fqinje si rrjedhojës e luftës civile tashmë i ka kaluar 200 mijë personat.
Me shqetësim shihet fakti se numri i personave që po largohen nga vendi vazhdon të rritet, ndërsa intensifikohen luftimet.
Sipas UNHCR-së, parashikimet e saj për 185 mijë refugjatë deri në fund të vitit janë tejkaluar dukshëm që në muajin gusht dhe ka gjasa që mbi 300-400 mijë sirianë të braktisin vendin deri në fund të 2012-s.
Vetëm javën e fundit, mbi 30 mijë shtetas kaluan kufirin për në kampet e ngritura në Turqi, në Irak, Liban dhe Jordani.
Ndërkohë, të premten kanë vazhduar me intensitet luftimet në qytetet kryesore të vendit, në periferinë e kryeqytetit Damask, në kryeqendrën ekonomike Alepo dhe në qytetin e Darajës, duke përkeqësuar bilancin tragjik të viktimave të këtij konflikti edhe me disa dhjetëra të tjerë.
Sipas forcave opozitare siriane, mbi 24 mijë persona kanë humbur jetën në luftën që ka përfshirë vendin që prej marsit 2011.
Megjithatë, OKB është në gjendje që të verifikojë “të paktën” 18 mijë të vrarë.
Top Channel