
Eulex-i reagon ndaj njoftimeve për ndalimin e vizitës në Mitrovicën e Veriut të të ashtuquajturit drejtor i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Alekasandar Vulin.
Sipas mediave serbe anulimi i vizitës së z. Vulin është bërë për shkak të paralajmërimit të mëhershëm të EULEX-i se ai nuk do ta lejohet të qëndrojë në veri të Kosovës.
Ky lajm sipas mediave në Beograd mbështetet në komunikatën e Zyrës në pjesën veriore të Mitrovicës. Sipas këtyre burimeve, ishte parashikuar që Aleksandar Vulin ditën e enjte të bisedojë me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, siç i quan Beogradi, e që në fakt për autoritetet e Kosovë dhe të bashkësisë ndërkombëtare janë strukturat paralele në Kosovë.
Ndërkohë zëdhënësi i Eulex-it në Prishtinë, Blerim Krasniqi në mënyrë elektronike ka sqaruar për Top Channel se Eulex nuk merret me vizita çfarëdo delegacioni të kësaj natyre. Sipas Krasniqit ka kohë që janë vendosur procedurat për vizita të tilla, e ku EULEX-i nuk është i përfshirë në vendimmarrje.
Procedura, e cila ekziston për disa vite, është në vijim: “Kërkesa për vizitë shkon nga zyrtarët e Beogradit, përmes zyrës së BE-së në Beograd dhe Përfaqësuesit Special të BE-së në Prishtinë, tek Qeveria e Kosovës. Pasi qeveria merr vendimin e saj, informata kthehet prapa përmes kanalit të njëjtë.
“EULEX-i nuk është i përfshirë në këtë proces”, sqaron Krasniqi.
Top Channel