Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, përfaqësues nga shoqëria civile dhe
Forumi Rinisë Aktive, përfshirë gazetarë të mediave të ndryshme
organizuan një tubim reagues, përpara Ministrisë së Jashtme pas ndalimit
për të hyrë në Greqi, të gazetarit të Top Channel Marin Mema.
Ata e cilësuan ndalimin si një precedent me efekte negative. Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve tha se ky veprim është i lidhur ngushtësisht me shkaqe profesionale, duke rënë ndesh me disa konventa dhe ligje respektive të dy vendeve tona.
“Ne jemi të interesuar, për të mësuar ndër të tjera, se përse një gazetar profesionist përfshihet në listën e personave që paraqesin rrezikshmëri për sigurinë kombëtare të shtetit fqinj. Nga ana tjetër ne jemi këtu për t’u interesuar edhe më tej, nëse në këtë listë që ekziston sipas autoriteteve greke, përfshihen të tjerë personalitete dhe përfaqësues të jetës publike, që janë profesionistë. Nëse shkaqet e shpalljes së tyre person ‘non grata’ janë vetëm ato që lidhen për arsye profesionale, në duam të dijmë se cili është krimi që ata kryejnë”, tha Çipa.
Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë ka dorëzuar një letër për ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Panariti, ku kërkohet që mos të mjaftohet me akte formale në nivel ambasade në Tiranë, por me negocime për t’i dhënë zgjidhje të drejtës së shkelur prej autoriteve greke. Kjo letër i është drejtuar Presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe Kryeministrit Berisha.
Për këtë ngjarje edhe Forumi Rinisë Aktive protestoi përpara Ambasadës Greke.Leonard Dedej, në emër të Forumit Rinia Aktive, e cilësoi si të pajustifikuar veprimin e autoriteteve greke.
“Ne protestojmë këtu, sepse ajo cka shteti grek ka bërë kundrejt Marin Memës është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe ligjeve ndërkombëtare”, tha Dedej.
Një ditë më parë nëpërmjet një reagimi Organizata e Medias për Europën Juglindore me qendër në Vjenë, SEEMO ka dënuar moslejmin për të hyrë në territorin grek të gazetarit Marim Mema .”Gazetarët duhet të lejohen në të dyja kapacitetet si qyetarë apo profesionistë. Policia kufitare greke duket se ka shkelur të gjitha standardet ndërkombëtare, duke i mohuar të drejtën e lirisë së udhëtimit për gazetarët. Liria e medias nuk duhet të kufizohet nga kufinjtë e shteteve”, tha sekretari i përgjithshëm i SEEMO-s, Oliver Vujoviç.
Top Channel