“T’i japësh më shumë kohë Greqisë për të shkurtuar shpenzimet nuk do t’i zgjidhë problemet ekonomike”.

Deklarata është bërë nga ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble në një intervistë për radion gjermane “SWR”.

Megjithatë, ministri ka nënvizuar se Berlini zyrtar është i vetëdijshëm për situatën e vështirë në të cilën ndodhet qeveria e Athinës.

“Koha nuk e zgjidh problemin. Të japësh më shumë kohë do të thotë të japësh më shumë para, por eurozona e ka arritur kufirin e mbështetjes”, ka thënë Schaeuble.

Në parim Schaeuble ka përsëritur një deklaratë të bërë më herët gjatë muajit, se nuk është i nevojshëm një program i ri për Greqinë.

“Ka kufi për çdo ndihmë që mund të jepet”, deklaroi ministri, që la të nënkuptohet se kryerja e reformave anti-krizë nga qeveria greke është një domosdoshmëri.

Schaeuble shtoi më tej se, “vendet e eurozonës do të tregoheshin pa mend nëse nuk do të mendonin për një plan emergjence në rast se inciativat në fjalë për zgjidhjen e krizës do të dështonin”.

Ndërkohë, revista gjermane “Der Spiegel”, në edicionin e saj online të së shtunës bëri të ditur se Greqia ka nevojë për të tjera para.

Sipas revistës, gjatë vizitës së fundit trojka evropiane ka zbuluar një “vrimë” prej tre miliardë eurosh në buxhetin e Athinës për dyvjeçarin e ardhshëm, që e çon në total borxhin në 14 miliardë.

“Kriza në Greqi po ashpërsohet. Pavarësisht shkurtimeve të borxhit dhe dy paketave të ndihmës, shtetit i mungojnë ende 14 miliardë euro”, shkruante e përjavshmja gjermane dy ditë më parë.

Top Channel