
Zyrtarët e EULEX-it në Kosovë njoftojnë se po zhvillohet një operacion i EULEX-it dhe i KFOR-it në Zubin Potok, për të mundësuar lëvizjen e lirë të trupave të tyre në mënyrë që të realizojnë detyrën e ngritjes së institucioneve dhe zbatimit të ligjit në veri të Kosovës.
Blerim Krasniqi, zëdhënës i Eulex -it, konfirmoi për Top Channel se EULEX bashkë KFOR ka ndërmarrë një operacion për të siguruar lëvizjen e policëve të EULEX-it në stacionin e Policisë së Kosovës në Zubin Potok. Sipas Krasniqit kjo po bëhet në mënyrë që zyrtarët e misionit europian të kryejnë detyrat e tyre të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit.
Krasniqi thekson se, “operacioni ku janë përfshirë Eulex dhe KFOR-i është duke u zhvilluar afër fshatit Zupç, rrugës për Zubin Potok, ku një grup e serbëve lokal janë duke e penguar lirinë e lëvizjes”. Ai thotë se EULEX-i do të vazhdojë të punojë ngushtë me KFOR-in për rivendosjen e lirisë së lëvizjes.
Top Channel