Partia më e madhe maqedonase, “VMRO-DPMNE”, ka dorëzuar në Parlament një projekt-ligj për të drejtat e posaçme për pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë që në vitin 2001 kanë luftuar kundër UÇK-së.

Menjëherë pas dorëzimit të këtij projekt-ligji ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi, duke thënë se propozim-ligji i këtillë i partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski mund të shkaktojë krizë mes partnerëve të koalicionit qeveritar.

Ademi theksoi se BDI do ta braktisë koalicionin me “VMRO-DPMNE”-në nëse kjo e fundit nuk pranon amandamentet e BDI-së për ligjin e propozuar.

Sipas Ademit, BDI kërkon që në këtë ligj të përfshihen edhe ushtarët dhe familjet e dëshmorëve të UÇK-së.

Por, ndryshe nga Ademi, është shprehur vetë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Pas një takimi në Shkup me zv/Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip Ricker, Ahmeti ka thënë se partia e tij ende nuk ka shqyrtuar mundësinë për të prishur koalicionin me partinë e kryeministrit Nikolla Gruevski.

”Kjo situatë nuk është e përpunuar. Ne kemi një marrëveshje për koalicion për katër vitet e ardhshëm dhe mendoj se është shumë parimore që të respketohet kjo marrëveshje. Mendoj se duhet të shqyrtohet dhe konsultohet me qetësi projekt-ligji i propozuar”, u shpreh Ahmeti.

Ndërkohë, në seancën e parë parlamentare pas pushimeve verore. e cila nisi me një minutë heshtje në shenjë respekti për deputetin e ndjerë Arben Xhaferi, Partia Demokratike Shqiptare, akuzoi deputetët e mazhorancës se po punojnë në dëm të interesave shqiptare dhe po miratojnë ligje kundër tyre.

“Kemi rastin më të freskët, kur dorëzohet ligj për “branitellat” (siç i quante pala maqedonase forcat e sigurisë në vitin 2001) nga ana e kësaj shumice parlamentare, kurse në anën tjetër ne deputetët shqiptarë nuk mund ta shfrytëzojmë as të drejtën elementare që qytetarët shqiptarë të mund të ndejkin në gjuhën shqipe. Mendoj se krejt ky mozaik i politikës nacionaliste të Gruevskit dhe Ali Ahmetit për çdo ditë po merr formë dhe çdo ditë më tepër shqiptarë po diskrimonohen”, tha Ymer Aliu, deputeti i PDSH-së.

Propozimi i “VMRO-DPMNE”-së për t’i siguruar të drejtat e posaçme ushtarëve maqedonas vjen në vazhdën e reagimeve të kësaj partie kundër ministrit të mbrojtjes, Fatmir Besimi, i cili më 13 gusht të këtij viti bëri homazhe tek busti i dëshmorëve të UÇK-së në fshatin Sllupçan të Kumanovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA