Shefi i financës së Eurozonës, Jean-Claude Juncker, deklaroi se Greqia duhet të ketë të qartë se ndihma e fundit për të cilën u ra dakord përbën “shansin e fundit” për vendin.
Pas një takimi me kryeministrin Antonis Samaras në kryeqytetin grek, gjatë së mërkurës, Juncker përgëzoi tentativat e Athinës për reduktimin e borxhit kombëtar, por theksoi se duhet të bëhet edhe shumë punë për të rikthyer financat helene në rrugën e rikuperimit.
Njëkohësisht kryeministër i Luksemburgut, Juncker theksoi se përparësia numër një e vendit duhet të jetë konsolidimi i mëtejshëm financiar dhe vlerësoi si të domosdoshme reformat strukturore.
Midis këtyre reformave, përfshihen ndryshimet në tregun e punës dhe privatizime të sektorëve të rëndësishëm, proces i cili ka nisur, por nuk është konkretizuar ende.
Nga ana e tij, kryeministri Samaras premtoi se Athina zyrtare do të finalizojë një paketë të re shkurtimesh me vlerë prej 11,5 miliardë eurosh brenda pak javëve të ardhshme.
Top Channel