Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëron se nuk do të ketë asnjë vendim mbi Greqinë pas takimit të saj me kryeministrin grek Andonis Samaras, që pritet të mbahet pas dy ditësh.

Merkel tha se është e nevojshme që të pritet publikimi i raportit që do të dalë nga Trojka për Greqinë ku do të jenë të rënditura më me detaje zbatimet e reformave financiare nga ana e qeverisë së Athinës, si dhe parashikimet për ecurinë e borxhit grek.

Agjencia e lajmeve Bloomberg thotë se pavarësisht se cfarë do të diskutohet me kryeministri grek Samaras, kancelarja gjermane nuk do të dalë me një qendrim të prerë, përvec atyre të njohura deri më tani, që Greqia duhet të zbatojë reformat.

Ndërkohë, kryeministri grek ka ndërmend të kërkojë më shumë kohë që vendi i tij të shlyejë borxhet. Në një intervistë për revistën gjermane Bild, Samaras tha se rikthimi në dhrahmi do të ishte katastrofë për ekonominë helene pasi papunësia, sipas tij, do të shkonte deri në 40 përqind.

“E vetmja çfarë kërkojme është pak më shumë kohë, pak më shumë frymëmarrje në mënyrë që të fillojë ristartimin ekonomia dhe në këtë mënyrë të rriten te ardhurat”, ka thënë ai.

Kryeministri grek ndodhet në një presion të jashtëzakonshëm për të bindur partnerët e Eurozonës se vendi i tij po bën maksimumin e përpjekjeve për të zbatuar reformat. “Një sukses i programit grek do të përforconte edhe Eurozonën”, thekson ai.

Top Channel