Gjatë procesit të legalizimeve, disa qindra subjekte deklaruan sipërfaqe
toke shumë më të vogël nga sa kishin zënë në të vërtetë, për të ulur
sasinë e parave që duhej të paguanin realisht, duke nxjerrë në pah një
defekt tjetër ligjor dhe strukturor të këtij procesi të shumëdebatuar.
Lajmi, sipas “Shqip”, bëhet i ditur nga zyrtarë që nuk dëshirojnë të identifikohen, sepse nuk janë të autorizuar të diskutojnë publikisht problemet e procesit. Qeveria miratoi javën e kaluar ndryshime në vendimet e mëparshme të legalizimeve, për të reflektuar sipërfaqet më të mëdha që rezultuan nga një proces verifikimi i vetëdeklarimeve. Në tabelat që u publikuan në Fletoren Zyrtare, tregohen raste kur të legalizuarit deklarojnë se kanë zënë 25 metra katrorë, ndërsa në fakt nga inspektimi ka rezultuar se kanë zënë 270 metra apo raste kur deklarimi është për 45 metra katrorë në vend që të ishte 378 metra. Ligji për legalizimet i kërkonte ndërtuesve pa leje të paguanin një çmim simbolik për tokën e zënë, pa bërë këtu diskriminim për faktin nëse toka gjendet në Tiranë apo në ndonjë fshat të humbur.
Çmimi i tokës është më i ulët, në rast se sipërfaqja e zënë është më e ulët. Për sipërfaqet mbi 400 metra katrorë, toka teorikisht duhet të paguhet me çmim tregu. Në konceptin e qeverisë, çmimi i tregut është i nxjerrë nga një studim i përgatitur nga vetë qeveria dhe tërësisht pa lidhje me realitetin.
Në praktikë, pronarët e ndërtimeve pa leje kanë deklaruar sipërfaqe fare të vogla, për të cilat kanë paguar sakaq çmimet përkatëse, me synimin që të përdorin pjesën tjetër të tokës së zënë pavarësisht se dokumenti i pronësisë që do të marrin, do të ketë të shënuar sipërfaqe toke prej 30 metrash dhe jo prej 300 metrash.
Ndërkohë, problemi tjetër që ka dalë me skemën e qeverisë është fakti se çfarë mund të bëhet kur dikush ka zënë 700 metra tokë, deklaron dhe kërkon të legalizojë 400 metra dhe teorikisht, pjesa prej 300 metrash duhet t’i kalojë shtetit ose ish-pronarit. Në praktikë, sipërfaqe të tilla toke janë realisht të papërdorshme e të parikuperueshme.
Qeveria ka miratuar dokumentet për legalizimin e pak mijëra ndërtimeve pa leje, (shpesh ndërtime të kryera në zona të varfra si Kukësi, Elbasani apo Berati), ndërsa ka deklaruar se kanë aplikuar për legalizim mbi 270 mijë familje e biznese. Në qendrat e mëdha të vendit, si Tiranë apo Durrës, përfituesit më të mëdhenj të ligjit janë kompanitë private, veçanërisht ndërtuesit, të cilët kanë blerë në këtë mënyrë toka me çmime qesharake, pavarësisht se nuk janë të varfër. Një ligj që teorikisht duhej të ndihmonte të varfrit të përfitonin tokë me çmim të ulët, në fakt po ndihmon të pasurit. Në një rast, një kompani bullgare legalizoi ndërtimet e veta në gjirin e Kakomesë në bregun e Jonit, duke blerë në këtë mënyrë me çmim qesharak një sipërfaqe të stërmadhe toke.
Procesi është kthyer në vetvete edhe në një megaskemë piramidale, pasi qeveria po përdor të gjitha paratë e paguara nga aplikuesit në të gjithë vendin, për të paguar pronarët origjinalë të pak tokave të zëna nga ndërtuesit. Duke qenë se ndërmjetësimi që qeveria po bën mes pronarëve të vjetër dhe të legalizuarve ka një normë humbjeje prej dhjetë herësh, është e qartë që për shumicën e të legalizuarve nuk do të ketë para për t’i blerë tokën, duke i lënë statusin e pasigurisë ligjore.
I nisur në vitin 2004, procesi i legalizimit po i afrohet dekadës së parë dhe pavarësisht viteve të kaluara, asgjë nuk duket në vijë për të çuar punën drejt përfundimit.
Top Channel