Familja Visha dhe Muça kanë qenë në dijeni të lidhjes jashtëmartesore të
Fiqiriut me Nazimen. Zyber Muça, babai i 45-vjeçarit të vrarë, ka
rrëfyer për herë të parë marrëdhënien e djalit të tij me 18-vjeçaren,
ndërsa ka pohuar se ka pasur dijeni.
Para prokurorit dhe hetuesve që i kanë shkuar në shtëpi në fshatin Manzë, Zyberi është treguar i matur. Hetuesit e kanë pyetur për fillimin e marrëdhënieve me familjen Visha, ndërsa Zyberi ka pohuar se ka krushqi me ta, pasi një nga djemtë e tij ka marrë për grua motrën e Nazimes. Ai ka pohuar se ka mësuar për lidhjen e tyre në muajin maj të këtij viti, kur Nazimja ka denoncuar djalin e tij, Fiqiriu në polici për përdhunim. I ndodhur në këto kushte, Zyberi ka kërkuar dorën e 18-vjeçares si nuse e dytë për Fiqiriun. I kam dërguar fjalë familjes Visha, por nuk kam marrë asnjë përgjigje.
Njohja me Vishajt
Zyberi ka treguar momentin që familja e tij ka lidhur krushqi me familjen Visha. Sipas tij, do ketë qenë viti 2007 kur një nga djemtë e tij është martuar me një vajzë nga familja Visha. Më pas, krushqit kishin hyrje-dalje familjare dhe djemtë e tij shkonin në këtë familje.
Më pas ka treguar se midis babait të Nazimes, Beqirit dhe Fiqiriut ishte lidhur një marrëveshje verbale për biznes. Të dy kishin hyrje-dalje familjare, pasi merreshin me prerjen e drurëve për tregti. I pyetur nëse ka pasur dijeni të lidhjes së Fiqiriut me Nazimen vite më parë, siç pretendon edhe 18-vjeçarja, Zyberi është treguar i kujdesshëm ndërsa ka pohuar se nuk kishte asnjë dijeni, pasi për të tilla gjëra djemtë nuk i hapeshin apo nuk i tregonin. Ndërkohë, ai ka mësuar për lidhjen e tyre vetëm disa muaj më parë, në kohën që Nazimja ka denoncuar Fiqiriun për përdhunim.
Lidhja jashtëmartesore
Babai i viktimës u ka treguar hetuesve se ka mësuar për lidhjen jashtëmartesore të Fiqiriut me Nazimen në muajin maj. Sipas tij, dy djemtë e tjerë e kishin vënë në dijeni Zyberin se Fiqiriu kishte një lidhje me Nazimen, madje kjo e fundit e kishte denoncuar për përdhunim.
Pas këtij veprimi, Zyberi e kishte thërritur Fiqiriun dhe ky i fundit i kishte thënë se nuk e kishte përdhunuar, por ajo kishte shkuar me dëshirë. Burimet nga prokuroria thanë se Zyberi ka thënë se “pasi e qortova për veprimin e kryer, i kam thënë se duhet të shkonte te familja Visha për të kërkuar dorën e Nazimes”. Megjithatë, një veprim i tillë nuk ishte kryer dhe më pas filluan procedurat për tërheqjen e denoncimit nga 18-vjeçarja.
Negociatat për martesën
Krahas qortimit që i ka bërë Fiqiriut, Zyberi ka pohuar para hetuesve se ka kërkuar zyrtarisht dorën e Nazimes. “Pasi mësova rreth lidhjes së tyre në muajin maj, kur kishin qenë bashkë për disa ditë, i çova fjalë familjes Visha për të kërkuar dorën e Nazimes për Fiqiriun. Doja ta kisha nuse të dytë Nazimen për Fiqiriun. Por familja Visha nuk më ktheu përgjigje”, ka thënë plaku para hetuesve, ndërsa ka hedhur dyshimet për vrasjen e djalit të tij, ku pretendon se mund të kenë gisht edhe persona të tjerë.
Bashkëshortët, do pyetet vëllai i viktimës dhe motra e autores
Prokuroria do të marrë në pyetje edhe një nga vëllezërit e Fiqiri Muçës, i cili ka marrë për grua motrën e Nazime Vishës. Hetues nga Prokuroria e Tiranës kanë kontaktuar në telefon me dëshmitarin, i cili u ka thënë se ndodhet në Burrel dhe se nuk ka mundësi që të japë shpjegime.
“I kemi kërkuar të japë shpjegime për ngjarjen, por na tha se nuk mundet, pasi nuk lë dot shtëpinë vetëm në fshatrat e Burrelit. Na tha se ka një djalë të vogël, që nuk e lë dot vetëm, nëse vjen për të dëshmuar së bashku me bashkëshorten”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, e cila saktëson se pret këto dëshmi për të mësuar më shumë rreth krushqive të familjes Visha dhe Muça.
“Vëllai i viktimës dhe motra e autores do pyeten rreth marrëdhënieve që kanë pasur me ta, nëse kanë pasur dijeni për lidhjen e tyre”, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit.
Bashkëshortja: Lidhjen e mësova në muajin maj
E veja e Fiqiri Muçës, i vrarë më 13 gusht, në periferi të Tiranës, është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës. Një prokuror dhe tre oficerë të policisë gjyqësore kanë qenë ditën e hënë në fshatin Manzë të Durrësit, te familja Muça për detajet e vrasjes së Fiqiriut. Mynyrja, e veja e viktimës, ka treguar se ka pasur dijeni rreth marrëdhënies së tij me Nazimen. “Kam pasur dijeni për marrëdhënien mes Fiqiriut dhe Nazimes. E kam marrë vesh në muajin maj të këtij viti, kur vajza denoncoi Fiqiriun për përdhunim. Natyrisht kam folur me prindërit e tij dhe kam vendosur që të jem sërish gruaja e tij. E kam falur për hir të pesë fëmijëve dhe më është betuar se nuk do të kishte asnjë marrëdhënie me Nazimen. I kam besuar. Vazhdoj të kem bindjen se nazikja e çoi drejt vrasjes, ajo e mashtronte”, ka pohuar Mynyrja, tejet e revoltuar, ndërsa ka shpjeguar se nuk i ka kërkuar llogari Fiqiriut, pasi e kishte falur. “Fiqiriu është mashtruar nga Nazimja. Ajo e ka futur në kurth me trupin e saj prej 18-vjeçareje. Nuk janë të vërteta thëniet e saj për përdhunim”, vijoi Mynyrja para OPGJ-ve, teksa është pyetur për dijeninë e saj për ditën e ngjarjes. Ajo tha se Fiqiriu ka dalë nga banesa dhe i ka dhënë disa lekë. Ka dyshuar për këto para, por nuk ka folur. Më pas Fiqiriu ka dalë për të mos u kthyer më. Në lidhje me telefonin celular, bashkëshortja e Fiqiri Muçës ka pohuar se ka lexuar disa prej SMS-ve nga ku rezulton, sipas saj, se ka qenë Nazimja ajo që e ka detyruar Fiqiriun të kishte një marrëdhënie me të. Deponimet e Mynyrës janë edhe për njohjen e tyre, fëmijët e deri te marrëdhënia bashkëshortore.
Vëllezërit: Fiqiriu na thoshte se “e dua Nazimen”
Një nga dëshmitë e marra nga grupi hetimor në fshatin Manzë të Durrësit ka qenë rrëfimi i vëllezërve të Fiqiriut, të cilët kanë pasur dijeni të lidhjes së tij me Nazimen. Para grupit hetimor, i kryesuar nga prokurori Blerim Tominaj, vëllezërit e viktimës kanë hedhur fillimisht dyshime mbi autorësinë e kësaj vrasjeje, ndërsa pohojnë se të tjerë persona mund të kenë lidhje me ngjarjen. Megjithëse tregohen të rezervuar në dhënien e emrave, ata pohojnë se Fiqiriu u ka thënë se ka një lidhje me Nazimen, një vajzë 18-vjeçare. “I kemi thënë se çfarë bën, kemi një lidhje krushqie me familjen Visha. Fiqiriu na ka thënë se ‘nuk kam çfarë të bëj, e dua Nazimen’. Më pas e kemi besuar, pasi komunikonte shpeshherë me këtë vajzë”, kanë pohuar vëllezërit, që kanë tentuar që të ndanin Fiqiriun me Nazimen, pasi vëllai i tyre kishte pesë fëmijë dhe një grua besnike. “I kemi kërkuar që të shkëpuste lidhjen me Nazimen për hir të fëmijëve, por shpeshherë na thoshte se ‘nuk ndahem dot nga kjo vajzë’. Më pas kemi hequr dorë, duke parë këmbënguljen e Fiqiriut për të vazhduar lidhjen me vajzën nga familja Visha”, pohojnë vëllezërit.
Nazime Visha: Fiqiriu më ndau nga i fejuari
Nazime Visha ka treguar dramën e jetës së saj para oficerëve të policisë gjyqësore. Ka pretenduar se është mbajtur 10-12 ditë në një pyll, në Burrel, ku dhe është përdhunuar nga Fiqiri Muça dhe nuk ka denoncuar ngjarjen, megjithëse çështja është mbyllur. Më pas ka pretenduar se është dhunuar sistematikisht nga viktima. Ajo ka pohuar se Fiqiriu vinte shpesh te familja e saj, për shkak të lidhjeve familjare, pasi vëllai i viktimës ka marrë për bashkëshorte motrën e Nazimes. “Në një rast më gjeti vetëm në banesë dhe më provokoi, duke më kërkuar të kryeja marrëdhënie seksuale me të, gjë të cilën e realizoi pa pëlqimin tim. Pas kësaj ngjarjeje, vizitat në shtëpinë time janë shtuar dhe njëkohësisht dhe kontaktet seksuale”, pohon Nazimja, para oficerëve të policisë gjyqësore, duke shtuar se “marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë të dhunshme dhe kundër dëshirës”. Një nga episodet e treguara nga 18-vjeçarja ka qenë fejesa e saj e prishur me një djalë nga Shijaku, emigrant në Itali. Ajo ka pohuar para OPGj-ve se Fiqiriu e ka marrë në telefon të fejuarin dhe i tha se “Nazimja është e imja”. Pas kësaj telefonate, është prishur edhe fejesa. Personi nën hetim ka qëlluar 29 herë në drejtim të Fiqiri Muçës, ku pesë predha e kanë goditur, duke i shkaktuar vdekjen. Vetë Nazime Visha ka deklaruar në gjykatë se “nuk e kam vrarë me dashje, por për vetëmbrojtje. Kam shumë gjëra për të thënë, por këtu s’do të jap deklarime”.
Top Channel