Vatra të fuqishme zjarri vazhdojnë të jenë të hapura në pyje dhe kullota të ndryshme të vendit.

Përveç vatrave ekzistuese nga 24 orët e mëparshme një tjetër është shtuar në Tepelenë, ku zjarrvënësi u arrestua në flagrancë. Por zjarri doli jashtë kontrollit dhe dogji plotësisht 20 hektarë kullotë, pemë frutore dhe vreshta si dhe rrezikoi seriozisht disa banesa.

Një tjetër vatër problematike mbetet në masivin e malit të Dajtit. Pas shuarjes së një vatre e cila për një javë resht dogji dhjetëra hektarë, prej dy ditësh më në afërsi të fshatrave është hapur një vatër e re.

Zjarre të fuqishme vazhdojnë të shkatërrojnë pyje në Kukës, Mirditë, Lezhë dhe Dibër. Në Zejmen të Lezhës u dogj një sipërfaqe prej të paktën 15 hektarë pyje.

Dy vatra të tjera zjarri në Mirditë, në fshatin Ndërshen të komunës Orosh si edhe një tjetër në fshatin Perlat i Sipërm.
 
Ndërsa në Kukës, në fshatin Zapod, vazhdon vatra e zjarrit të mos jetë nën kontrollin e zjarrfikësve, ndërsa është shtuar edhe një tjetër në një fshat të rrethit të Krumës. Në zonën e Zapodit, zjarri mbetet më problematik për shkak edhe të faktit se ndodhet në një terren krejtësisht të vështirë për të shkuar zjarrfikëset.

Terrenet e thyera malore përbëjnë problem edhe në vatra aktuale. Mundësia e vetme mbetet me mjetet rrethanore dhe me ndihmën e vetë banorëve të zonave.

Zjarrfikësit me lopata

Por numri i madh i zjarreve i rënë sërish këtë vit evidenton edhe njëherë tjetër dy nga problematikat disavjeçare në vend, mungesën e infrastrukturës.

Mungesa e një helikopteri apo avioni që bart sasi të mëdha uji për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në zonat malore ku nuk mund të shkojnë makinat në rrugë tokësore.

Ndërkohë, në qytete është problem mungesa e hidrantëve për furnizimin e zjarrfikëseve. Në kryeqytet kjo është e vetmja pikë ku zjarrfikëset furnizohen me ujë.

Në zona të ndryshme ka hidrantë, por prej vitesh ato nuk vihen më në funksionim për shkak se nuk kanë presion të mjaftueshëm të ujit, për të furnizuar autobotët.

Kjo situatë ekziston edhe në disa qytete të tjera të vendit. Ndërkohë që për të shuar një zjarr në kodrat e malit të Dajtit një zjarrfikëse duhet të bëjë kilometra të tëra për tu furnizuar sërish në periferinë perëndimore të qytetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB