
Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka konfirmuar të martën pavlefshmërinë e referendumit të 29 korrikut për shkarkimin e presidentit Traian Basescu, i cili do të mbetet kështu në pushtet.
Referendumi, i promovuar nga qeveria e qendrës së majtë që e akuzonte Basescu-n për veprime jokushtetuese, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.
Qeveria kishte bërë apel, por Kushtetuesja duket se ia ka dhënë fitoren kreut të shtetit, figura kryesore e konservatorëve të vendit. Nga 50% plus 1 që duhet të ishte niveli i pjesëmarrjes në referendum, ai nuk mbërriti më shumë se 45 për qind.
Basescu, i pezulluar nga parlamenti, u kishte kërkuar mbështetësve të tij ta bojkotonin votimin, ndërsa nismën për rrëzimin e tij e kishte cilësuar një veprim hakmarrës me prapavijë politike. Pas rezultatit të referendumit, ai deklaroi se me votën e tyre, rumunët kishin votuar për vendin e jo per të.
“Rumunet votuan të pakët në numër, ashtu siç ua diktoi ndërgjegjia. Shumica qëndruan në shtëpi. Përmes këtij veprimi, ata shprehën vullnetin e tyre, konsoliduan idenë se Rumania nuk mund të kthehet në një shoqëri të drejtuar nga tekat e dikujt, pa rregulla, pa norma, në një shoqëri të qeverisur prej një grupi politikanësh që vendosin fatin e të gjithë rumunëve”, tha Basescu.
Mosmarreveshjet me kryeministrin Victor Ponta ishin ato që çuan deri në këtë pikë. Qeveria e qendrës së majte e ka akuzuar presidentin e djathtë për tejkalim të kompetencave dhe përzierje në punët e saj.
Megjithatë, përpos pakënaqësisë në rritje ndaj të gjithë elites politike të vendit, edhe temperaturat përvëluese të këtyre ditëve ishin një faktor që i mbajti rumunët larg qendrave të votimit.
Top Channel