Asnjë lëshim nga Gjermania për një zbutje thelbësore të marrëveshjeve të nënshkruara me Greqinë.
Qëndrimi është shprehur nga shefi i diplomacisë së Berlinit, Guido Westerwelle, pas takimit me homologun grek Dimitris Avramopoulos.
“Është e nevojshme që reformat, sado të vështira të jenë, të çohen përpara në mënyrë koherente”, ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman.
Fundjavën e kaluar edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble u shpre në të njëjtën linjë, kur tha se, nuk është i nevojshëm një program i ri për Greqinë.
“Ka kufi për çdo ndihmë që mund të jepet”, deklaroi ministri, që la të nënkuptohet se kryerja e reformave anti-krizë nga qeveria greke është një domosdoshmëri.
Schaeuble shtoi më tej se, “vendet e eurozonës do të tregoheshin pa mend nëse nuk do të mendonin për një plan emergjence në rast se inciativat në fjalë për zgjidhjen e krizës do të dështonin”.
Ndërkohë, revista gjermane “Der Spiegel”, në edicionin e saj online të së shtunës bëri të ditur se Greqia ka nevojë për të tjera para.
Sipas revistës, gjatë vizitës së fundit trojka evropiane ka zbuluar një “vrimë” prej tre miliardë eurosh në buxhetin e Athinës për dyvjeçarin e ardhshëm, që e çon në total borxhin në 14 miliardë.
“Kriza në Greqi po ashpërsohet. Pavarësisht shkurtimeve të borxhit dhe dy paketave të ndihmës, shtetit i mungojnë ende 14 miliardë euro”, shkruante e përjavshmja gjermane dy ditë më parë.
Top Channel