700 banorë të fshatit Bulo pranë rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë gjenden të rrethuar nga masive të tëra mbeturinash.
Kanë qenë vetë banorët ata të cilët i kanë hedhur mbetjet në rrugën nacionale, në mungesë të një sheshi të miratuar për t’i depozituar ato.
Plehrat që prej 20 vitesh shtresëzohen në të njëjtin territor, digjen herë pas here për t’ua lënë vendin mbetjeve të reja.
Banorët i kanë kërkuar komunës Qendër-Libohovë përmes përfaqësive të tyre të vendoset një mjet për largimin e mbeturinave, por kjo kërkesë ka mbetur ende pa përgjigje.
Kjo komunë nuk është e vetmja përgjatë bregut të Drinos, ku banorët bashkëjetojnë me mbeturinat që prodhon vetë ky komunitet. Problemi i grumbullimit dhe trajtimit të mëtejshëm të mbetjeve nis me bashkinë e Gjirokastrës dhe vijon me të gjitha komunat e rrethit përjashto 2 prej tyre që i kanë dhënë zgjidhje me fondet e veta problemit.
Agjensia rajonale e Mjedisit në Gjirokastër ka gjobitur për ndotje të mjedisit dhe ujërave katër komuna të Qarkut të Gjirokastrës. Pak muaj më parë këto të fundit pretenduan se masa ndëshkimore ndaj tyre u dha mbi kritere selektimi ndërsa gjendja paraqitet po aq kritike në të gjitha komunat e Qarkut.
Top Channel