Organet greke të rendit kanë mundur të arrestojnë autorin e vrasjes së një 53-vjeçari në ishullin Paros. Vrasja ndodhi gjatë vjedhjes me armë të një dege banke në këtë ishull në fillim te muajit dhe autori nuk është një kriminel i thjeshtë ordiner dhe as shqiptar, siç ishte aluduar nga disa media greke.

Bëhet fjale për 29-vjeçarin grek nga Selaniku, Anastasios Theofilou, identifikimi i të cilit u bë pas testimit laboratorik të ADN-së.

Përveç se ai është njeriu që qëlloi për vdekje me armë zjarri taksistin që u përpoq të pengonte grabitjen, materiali gjenetik i tij përkon sipas Antiterrorit, edhe me disa prej akteve të fundit të organizatës terroriste Komploti i Celulave të Zjarrit dhe vetë ai konsiderohet si një prej liderëve kryesorë të saj, pas arrestimeve në masë të anëtarëve të tjerë në vitin 2010.

Arrestimi i tij është kryer në Athinë pas përgjimit të lëvizjeve të tij dhe disa kontakteve me persona të kahut anarkist.

Sipas burimeve policore, dyshohet se disa prej bashkëpunëtoreve të tij në vjedhjen e bankës mund të jenë anëtarë të organizatës, si dhe autorë të një grabitjeje me armë në zonën Pefki vitin e kaluar, ku në përpjekje me trupat speciale janë plagosur edhe dy policë.

Komploti i Celulave të Zjarrit ishte grupi i fundit terrorist që vepronte në Greqi, pas shpartallimit të organizatës 17 Nëntori dhe Ela në vitin 2003, si dhe arrestimit të anëtarëve të organizatës Lëvizja Revolucionare para tre vjetësh.

Ai ka marrë përgjegjësinë për dy sulme me bomba në gjykatën e Selanikut dhe burgun e Koridhalos në Athinë në vitin 2010, si dhe dërgimin e 14 pakove-bombë në ambasadat e huaja të kryeqytetit dhe në zyrat e disa udhëheqësve europianë.

Greqia, që është përballur për më se tre dekada me grupet e majta terroriste, ka deklaruar shpesh herë asgjesimin e plotë të tyre, por elementë që veprojnë ose të veçuar, ose në celula të vogla dhe që sipas organeve të rendit, janë të lidhur edhe me botën e krimit ordiner, shqetësojnë përsëri Athinën zyrtare. Vetëm ne tre vitet e fundit rreth 30 persona janë arrestuar në Greqi me akuzën e pjesëmarrjes në grupet ekstremiste të majta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA