Pas 30 ditëve agjërim, besimtarët muslimanë në Maqedoni festuan të dielën Bajramin.

Kremtimet nisën herët në mëngjes me faljen e namazit të Bajramit. Manifestimi qëndror i faljes është mbajtur në Shkup, në xhaminë e Mustafë Pashës, ku përveç numrit të madh të besimtarëve muslimanë, si rrallë herë morën pjesë edhe përfaqësuesit e të gjitha bashkësive fetare në Maqedoni.

Kryetari i Bashkësisë Islame, Sulejman Rexhepi, tha se ky është një shembull shumë pozitiv për kultivimin e tolerancës ndërfetare, në një vend siç është Maqedonia.

”Këtu së bashku me ne, gjatë tërë ceremonicës ishin të gjithë liderët dhe përfaqësuesit e të gjitha bashkësive fetare në vend. Ky veprim ndoshta rrallë herë ka ndodhur në kuadër të bashkësive fetare. Por, sipas një marrëveshje paraprake, duam të tregojmë se jemi në gjendje të bashkëjetojmë dhe të tolerojmë njëri-tjetrin”, theksoi Rexhepi.

Rexhepi ju bëri thirrje të gjithë besimtarëve musliman që në këto ditë feste të jenë më të kujdesshëm dhe më solidar mes tyre.

”Duhet të jemi të kujdesshëm prej ditës së parë sot deri në fund, të jemi më të ndjeshëm, më vigjilent dhe të kujdesemi për vëllezërit tanë që kanë skamje, që t’i ndihmojmë dhe t’i ngrejmë në nivelin e kënaqësisë së barabartë”, shtoi kryemyftiu.

Pas faljes në, xhami besimtarët muslimanë kanë filluar vizitat tek të afërmit, duke shërbyer urime mes tyre.

Në mesditë, në mënyrë tradicionale, politikanët kanë vizituar Bashkësinë Fetare Islame në Shkup dhe me atë rast i shprehën urimet e tyre me rastin e festës së Fiter Bajramit gjithë komunitetit musliman në Maqedoni.

Top Channel