Ambasadori austriak në Beograd, Clemens Koja ka deklaruar se plani i Marti Ahtisarit përmban zgjidhjet e duhura për problemet në veri të Kosovës.

Por për zbatimin e këtij plani, ka thënë ai në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, kërkon që Kosova dhe Serbia ta ngrenë dialogun dypalësh në nivel politik.

“Pas bisedimeve të suksesshme mbi energjitikën dhe telekomunikacionin, shpresoj që të hapet një proçes i gjerë politik, në mënyrë që palët të trajtojnë çështjet e mbetura politike”, ka deklaruar Koja.

Sipas tij, çështjet në fjalë janë të drejtat e serbëve në veri, mbrojtja e trashëgimisë kulturore serbe, kthimi i të shpërngulurve, etj.

Diplomati austriak ka nënvizuar se është në dijeni të synimit të presidentit serb Tomisllav Nikoliç, për ngritjen në nivel politik të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Gjithësesi, ende nuk dihet se kur do të rifillojë faza e re e bisedimeve Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuara nga Brukseli.

Pala serbe, e cila ka deklaruar më herët se do të përfaqësohet nga vetë presidenti Nikoliç në këtë proçes, nuk ka ende asgjë të përcaktuar.

Sipas saj, gjërat do të qartësohen pas një vizite që kryeministri Ivica Daçiç do të zhvillojë në fillim të shtatorit në Bruksel, ku do të takohet me krerët e BE-së.

Ndërsa nga pala kosovare, përveç paqartësive, ka debate mes pozitës dhe opozitës mbi zhvillimin e bisedimeve dhe mbi temat që duhen diskutuar.

Pak ditë më parë kryeministri Hashim Thaçi bëri thirrje që e gjithë klasa politike të përfshihet në dialog, ndërkohë që nga opozita, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti u shpreh kundër mbajtjes së tij.

Top Channel