Qeveria gjermane nuk do t’i bëjë asnjë lëshim kryeministrit grek Andonis Samaras, i cili pritet të vizitojë Berlinin të premten e ardhshme.
Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, i cili ka theksuar se një zbutje e mundshme e thelbit të reformave as që bëhet fjalë.
Megjithatë, shefi i diplomacisë gjermane ka riafirmuar solidaritetin dhe mirëkuptimin e thellë për qytetarët grekë, duke thënë se: “Njerëzit nuk janë përgjegjës për faktin se kush kishte përgjegjësinë nuk u soll në mënyrën e duhur”.
Edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble është shprehur në të njëjtën linjë, kur ka thënë se, nuk është i nevojshëm një program i ri për Greqinë.
“Ka kufi për çdo ndihmë që mund të jepet”, ka thënë ministri, duke lënë të nënkuptohet se kryerja e reformave anti-krizë nga qeveria greke është një domosdoshmëri.
Schaeuble ka shtuar më tej se, “vendet e eurozonës do të tregoheshin pa mend nëse nuk do të mendonin për një plan emergjence në rast se inciativat në fjalë për zgjidhjen e krizës do të dështonin”.
Ndërkohë, revista gjermane “Der Spiegel”, në edicionin e saj online ka bërë të ditur se Greqia ka nevojë për të tjera para.
Sipas revistës, gjatë vizitës së fundit trojka evropiane ka zbuluar një “vrimë” prej tre miliardë eurosh në buxhetin e Athinës për dyvjeçarin e ardhshëm, që e çon në total borxhin në 14 miliardë.
“Kriza në Greqi po ashpërsohet. Pavarësisht shkurtimeve të borxhit dhe dy paketave të ndihmës, shtetit i mungojnë ende 14 miliardë euro”, shkruan e përjavshmja gjermane.
Top Channel