Shumë familjarë të minatorëve të minierës së platiniumit në Afrikën e Jugut, ku dy ditë më parë u regjistrua një masakër e vërtetë, nuk kanë informacion për njerëzit e tyre.
Të paktën 34 persona mbetën të vrarë kur policia hapi zjarr ndaj minatorëve grevistë, ndërkohë që 78 të tjerë u plagosën dhe rreth 200 u arrestuan.
Familjarët, të irrituar, ankohen se policia dhe menaxherët e minierës kanë dështuar në identifikimin dhe regjistrimin e viktimave.
Një zëdhënës i policisë ka deklaruar për BBC se përpjekje po bëhen për të kontaktuar njerëzit, por kjo do të kërkojë kohë.
Rrethanat që çuan policinë të hapte zjarr mbeten të paqarta, por dëshmitarë nga vendi i ngjarjes sugjerojnë se të shtënat erdhën pasi një grup demonstruesish, të pajisur me shkopinj dhe hanxharë, u turrën drejt vijës së policëve. Këta të fundit, të armatosur me armë automatike dhe pistoleta, qëlluan shumë herë.
Më herët, presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma njoftoi hapjen e një hetimi për masakrën e së premtes, të cilën e cilësoi si një ngjarje tragjike.
“Jam i bindur se komisioni hetimor do të zbardhë të vërtetën dhe faktet do të dalin në dritë”, deklaroi Zuma pas një takimi me krerët e policisë dhe minatorët e plagosur.
Top Channel