
Gjatë vitit 2012 pritet të shpallet kompania fituese për 75% të aksioneve të Post-Telekomit të Kosovës. Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, numri më i madh i kompanive të parakualifikuara do të jetë gjashtë.
Privatizimi i 75% të aseteve të PTK-së përshijnë telefoninë fikse dhe atë celulare. Në garë për asetet e PTK-së është edhe kompania e ish-sekretarës së Shtetit, Medeleine Albright.
“Në pjesën e parë të shtatorit do të kemi tenderin e hapur, presim pastaj, pasi janë proçedurat së paku dy mujore, për të pritur aplikacionet, apo tenderimet nga kompanitë, të cilat do të parakualifikohen. Dhe unë besoj fuqishëm se para përfundimit të këtij viti do ta shpallim fituesin dhe do të fillojmë negociatat për përmbyllje të këtij transaksioni. Por po them edhe një herë, punët tona varen nga gatishmëria e investitorëve për t’u përgjigjur në afate kohore”, ka deklaruar Beqaj.
Ministri Beqaj theksoi se, qeveria nuk është as në presion kohor e as financiar për ta privatizuar Telekomin. Ai ka shpjeguar edhe disa nga kriteret që do kenë kompanitë për t’u kualifikuar dhe sipas tij, vetëm 6 kompani mund të parakualifikohen.
“Ne do të bëjmë parakualifikim në bazë të kritereve. Kjo nuk do të thotë se do të jenë gjashtë, gjashtë është maksimumi i kompanive që mund të parakualifikohen, komisioni i caktuar nga pesë ministri, i kanë caktuar kriteret dhe në bazë të tyre caktohet, por ka një sërë kriteresh. Një është nëse konkurrohet përmes operatorit strategjik, se duhet të ketë 300 milionë euro qarkullim vjetor në tre vitet e fundit, tjetri kriter nëse konkurron si investitor, si partner investues, si fond, atëherë duhet të ketë 750 milionë euro qarkullim në tre vitet e fundit në bazë vjetore”, ka thënë ministri.
Gjatë kësaj konference për shtyp ministri Beqaj bëri të ditur se, nga buxheti i shtetit vetëm për monitorimin dhe funksionalizimin e ndërmarrjeve publike janë dhënë 8 milionë euro.
Ndërkohë, Beqaj ka thënë se në sektorin e telekomunikacionit është duke u përgatitur aplikacioni për shërbimet 3G. Ndërsa projekti për Termocentralin “Kosova e Re” është duke vazhduar me proçedurat e rregullta, edhe me Termocentralin “Kosova B” dhe me hidrocentralet e vogla dhe atë të Zhurit.
Top Channel