Në kohën kur kanë mbetur edhe tri javë që nga mbajtja e mbledhjes së fundit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që do të shënojë fundin e mbikëqyrjes së pavarsisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar më shumë përkushtim në përmbushjen e të gjitha detyrimeve për këtë çështje.

Sipas Thaçit, duhet të prodhohen sa më shumë argumente në Bashkimin Europian për proçesin e integrimit të Kosovës, dhe se do të jetë i pakompromis për këdo që do të sfidojë këtë proçes.

“Nuk do të ketë asnjë kompromis që do të justifikojë këtë proçes. Është detyra jonë të mbajmë përgjegjësi dhe të çojmë proçesin përpara. Këtë duhet ta bëjmë jo për hatër të BE-së, por për interesat e vendit tonë”, ka deklaruar Thaçi.

Duke folur për prezencën e misionit të BE-së në Kosovë, EULEX-it, i cili pritet që të vazhdojë punën deri në qershor të vitit 2014, Thaçi ka thënë se pret që strukturat vendore të rendit dhe ligjit do të rrisin kapacitetet.

“Mund ta them këtë, edhe pse prezenca e EULEX-it nuk duhet të shërbente si justifikim për zyrtarët tanë që të jenë më aktivë për çështjet më të ndjeshme”, ka shtuar Thaçi.

Deri më tani Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, përmes të cilit bëhet përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Ndërsa me fillimin e sesionit vjeshtor të punimeve në Kuvend ky projektligj pritet të marrë formën përfundimtare. Java e dytë e shtatorit të këtij viti do të jetë “java e përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë”, dhe do të shënohet në mënyrë solemne.

Top Channel