
Analisti i njohur amerikan Daniel Server ka deklaruar se çdo hap i
Beogradit zyrtar në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës do të
ishte pozitiv për të ardhmen e Serbisë.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “e-Novine”, eksperti i çështjeve të Ballkanit ka theksuar se tashmë është i kryer fakti se Kosova nuk do të qeveriset më nga Serbia dhe se i takon kësaj të fundit të ecë në drejtimin e duhur.
Ndër të tjera Server ka vlerësuar se ekzistenca paqësore mes dy vendeve nuk do të jetë e mundur derisa Beogradi do të vazhdojë të shprehë ambicjet e tij territoriale ndaj Kosovës.
“Të gjithë në Serbi duhet ta kenë të qartë se çfarëdo që të kërkojnë serbët në veri të Kosovës do të kërkojnë edhe shqiptarët brenda territorit të Serbisë”, ka nënvizuar Server.
Sipas tij, ekziston mundësia që edhe serbët e veriut të kërkojnë dhe të shpallin pavarësinë sikurse bëri Kosova nga Serbia, por atë nuk do të njohë askush dhe do të jetë vetëm një dështim.
“Askush nuk do ta pranojë veriun e Kosovës si një shtet i pavarur dhe çdo përpjekje aneksimit të veriut të Kosovës nga Serbia do të thotë përfundimin e shpresës së Beogradit për anëtarësim në BE”, ka deklaruar analisti.
Përsa i përket fazave të reja të dialogut mes palëve, Server parashikon se diskutimet do të përqendrohen në zbatimin e planit të Ahtisarit në veri, gjë që mund të kërkojë një marrëveshje të posaçme.
“Temë kryesore do të jetë mënyra se si Beogradi synon të nxjerrë praninë e tij nga veriu në bazë të rezolutës 1244, të cilën vetë qeveria serbe e shkel çdo ditë”, ka vijuar Server.
Top Channel