Inflacioni do të vazhdojë të rritet, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto do të ulet gjatë vitit 2012 në Serbi, lajmëroi Banka Qendrore e vendit ballkanik ditën e enjte.
Statistikat u publikuan në analizën monetare të Bankës të Serbisë dhe u prezantuan nga guvernatori Branko Hiniç.
Inflacioni do të arrijë kulmin e tij në pjesën e parë të 2013-s, duke tejkaluar dukshëm kufirin prej 5,5% të vendosur prej Beogradit.
Në muajin korrik, inflacioni ishte përsëri mbi normë, prej 6,1%. Në këto kushte, Banka do të jetë e detyruar të rrisë normën bazë të interesit përtej kufirit rekord të 10,5%.
Ndërkohë, parashikimet për rritjen ekonomike në vitin 2012 u rishikuan nga 0,5%, në -0,5% për vitin aktual.
”Rënia në outputin bujqësor, kushtet ekstreme klimaterike gjatë fillimit të vitit dhe verës si dhe ekspozimi nga kriza e Eurozonës do të dëmtojnë rritjen ekonomike në dy vitet e ardhshme, me një rritje prej -0,5% në vitin aktual dhe në 2,5%, nga 3% që ishte parashikuar, për vitin e ardhshëm”, theksoi Hiniç.
Top Channel