
Ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff ka deklaruar se veriu i
Kosovës do të jetë tema kryesore e dialogut në nivel politik ndërmjet
Kosovës dhe Serbisë.
Cliff ka thënë gjithashtu se zgjidhja për veriun e Kosovës duhet të jetë në kuadër të planit të Ahtisarit dhe ka ftuar serbët që të përfitojnë nga ky plan, pasi statusi i Kosovës nuk do të diskutohet më.
”Veriu është një çështje e brendshme e Kosovës, por është e pamundur të zgjidhet problemi pa dialog me Serbinë”, ka nënvizuar Cliff për radion “Kontakt Plus” në Mitrovicë.
Diplomati britanik është shprehur gjithashtu se fazat e reja të dialogut do të jenë një betejë e vështirë, veçanërisht për qeverinë e re në Beograd.
Ndërsa përsa i përket marrëveshjeve të arritura më parë, ambasadori është shprehur optimist se ato do të gjejnë së shpejti zbatimin e shumëpritur.
”Unë besoj se marrëveshjet do të zbatohen për shkak se qeveria serbe e di se ndryshe nuk ka mundësi progresi drejt BE-së”, ka thënë Cliff.
Ndërsa më herët gjatë muajit, në një intervistë për të përditshmen “Koha Ditore”, Cliff tha se, një bashkëpunim më i fuqishëm në Parlament, në prag të proçeseve që e presin Kosovën në shtator, do të ishte shumë pozitiv.
Sipas tij, paralelisht me ndryshimet kushtetuese që do të mbyllin mbikëqyrjen e pavarësisë, AAK dhe LDK duhet të mbështesin edhe “qasjen kombëtare” për veriun e Kosovës.
“Mendoj se krerët e PDK-së, LDK-së dhe të AAK-së do të duhet të punonin së bashku për këtë çështje kombëtare. Nuk është e domosdoshme që të jenë në qeveri, por duhet të kenë qasje të përbashkët”, tha Cliff.
Top Channel