Beogradi zyrtar duket se është ende në dilemë përsa i përket dialogut me Kosovën, pavarësisht se më herët ka shprehur disa herë gatishmërinë e tij për bisedime.

Të paktën kështu ka lënë të kuptohet kryeministri Ivica Daçiç, i cili në një konferencë për shtyp në Beograd ka deklaruar se, ende nuk dihet se kur do të rifillojë dialogu dhe në ç’formë do të zhvillohet ai.

“Për momentin nuk janë përcaktuar ende formati, çështjet që do të diskutohen dhe as koha se kur do të nisë dialogu”, ka deklaruar Daçiç, i cituar nga “B92”.

Shefi i qeverisë serbe, dikur zëdhënës i Sllobodan Millosheviç, ka shtuar se lidhur me këtë çështje do të diskutojë me liderët e Bashkimit Evropian, më 4 shtator në Bruksel.

Në fillim të muajit Serbia njoftoi se do të kishte një ekip të zgjeruar për bisedimet me Kosovën dhe një plan të hartuar paraprakisht me nevojat e Serbisë.

Madje, autoritetet paralajmëruan mbajtjen gjatë muajit gusht të një takimi, në të cilin presidenti Tomislav Nikoliç do të marrë mandatin për të udhëhequr  bisedimet.

Në këtë debat, sipas njoftimeve të atëhershme, pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e opozitës dhe ekipi serb do të ketë negociator në disa nivele.

Po në fillim të muajit, në lidhje me bisedimet, u fol për një takim mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe atij serb, Tomisllav Nikoliç.

Lajmin e bëri të ditur e përditshmja kosovare “Express”, e cila shkruante se në Bruksel po punohej që takimi në fjalë të realizohet në tetorin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA