Qeveria e kryeministrit Thaci është shndërruar në problem serioz për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Problemet me reformën zgjedhore dhe kushtetutese si pasojë e moszbatimit të marrëveshjes politike, veriu i vendit e të tjera cështje nuk janë shqetësimet e vetme të LDK-së opozitare.

Në një konferencë për media Sekretari i Përgjithshëm Ismet Beqiri kritikoi kësaj radhë Ministrinë e Kulturës për diskriminim negativ të komunave që udhëheq LDK-ja për sa i përket investimeve të fundit në stadiume. 914 mijë euro sipas Beqirit janë ndarë vetëm në komunat që udhëheqë PDK-ja ndërkaq stadiumi i  Prishtinës dhe klubet sportive janë harruar krejtësisht.
 
“Kur duhet të japin para për klubet e Prishtinës, që janë 114 të regjistruara, kryeqyteti diskriminohet por edhe komuna të tjera. Këto para nuk janë para të qeverisë, por të taksapaguesve dhe taksapaguesit më të mëdhenj në Kosovë janë qytetarë të Prishtinës, por edhe të komunave të tjera që nuk përfitojnë. Kosova është e vogël të kantonizohet në baza partiake. Ku udhëheq zoti Thaçi shkojnë para, ku nuk udhëheq Thaçi nuk ka para”, thotë zoti Beqiri.
 
Beqiri përsëriti qëndrimin e LDK -së kundër cfarëdo dialogu me Serbinë. Po kështu ai tha se LDK-ja nuk do ta votojë reformën zgjedhore dhe kushtetuese në Kuvend nëse nuk zbatohet marrëveshja politike e cila con në shtëpi presidenten Atifete Jahjaga. Sipas tij prodhues i krizës institucionale në këtë rast është vet kryeministri Thaci.
 
“Thaci është sajuesi i krizave dhe ai i bën këto. LDK e ka nxjerrë vendin nga kriza vitin e kaluar dhe tani ja si e kemi përgjigjen e zotit Thaçi. Sajuesi i krizave është Thaçi. LDK është gati për zgjedhje në cdo kohë”, shtoi zoti Beqiri.
 
Zyrtarët e LDK-së shprehin bindjen se së shpejti do të vijnë vet në pushtet për t’i dhënë zgjidhje edhe problemit të veriut.

Top Channel