
Qeveria e Serbisë është duke e shqyrtuar mundësinë për ta hequr fusnotën nga emri i Kosovës.
Burimet e gazetës serbe “Blic” thonë se ky vendim është duke u shqyrtuar për shkak se dëmi për shtetin është i madh, kur detyrohet të largohet nga forumet rajonale për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.
Fusnota është bërë temë kryesore pasi Serbia kërkonte që tek emri i Kosovës të shkruheshin edhe sqarime për marrëveshjen e arritur për t’u distancuar nga pavarësia.
“Përveç shpenzimeve të mëdha dhe faktit që zëri i njërës palë është dëgjuar, për përfaqësuesit e Serbisë ka qenë një situatë e pakëndshme largimi protestues nga konferencat dhe vetëm Serbia ka humbur”, thotë burimi qeveritar.
Zyrtarisht nuk është konfirmuar ndryshimi, por zëvendëskryeministrja për Integrimet Evropiane, Suzana Grubejshiç, ka thënë vetëm se trajtimi me rreptësi i disa problemeve i shkakton dëme shtetit.
Top Channel