Një shpërthim është dëgjuar mesnatën mes së hënës dhe së martës në veri të Mitrovicës, për fat të mirë pa shkaktuar dëme në njerëz.

Sipas raportimeve të “REL”, që citon burime policore, shpërthimi ka ndodhur në lokalin “Tiha Noç” dhe ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Nga hetimet paraprake rezulton se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore, saktësojnë më tej burimet.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar qeveria serbe, e cila ka dënuar ato që i ka quajtur “incidentet kundër serbëve në Kosovë” dhe ka kërkuar hetimin e tyre, “pa marrë parasysh se cilët janë viktimat”.

“Hedhja e bombës në restorantin me pronar serb në Mitrovicë vetëm sa ka inkurajuar atmosferën e mosbesimit dhe frikës”, thuhet në një komunikatë të cituar nga mediat serbe.

Përmes këtij dokumenti, Beogradi zyrtar thotë se: “Si pasojë e mosndëshkimit të dhunës ndaj komunitetit serb, frika dhe mosbesimi mbretëron në tërë hapësirën e Kosovës”.

Një ditë më parë, rreth orës 4 të mëngjesit, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës iu vu zjarri një veture. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti konfirmoi djegien e veturës, duke thënë se ajo i përkiste një qytetari serb të thjeshtë.

“Në orën 4 të mëngjesit i është vënë zjarri një veture në pjesën veriore të Mitrovicës. Motivet ende nuk i dimë, por hetime janë duke vazhduar”, tha Hoti. Edhe në këtë rast, nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Top Channel