Federata e mësuesve në shkollat fillore të Greqisë ka dhënë alarmin mbi rrezikun se, nga mungesa e fondeve shtetërore për shkak të krizës ekonomike, dimrin e ardhshëm institucionet arsimore mund të mos jenë në gjendje të paguajnë për ngrohjen e tyre.

Federata, bën të ditur shtypi i sotëm grek, ka njoftuar se rata e parë e fondeve publike të destinuara për vitin e kaluar shkollor është shkurtuar me një të tretat.

Ndërsa rata e dytë, që pritej të mbërrinte prillin e kaluar, duhet ende të paguhet, njoftojnë më tej mediat greke.

Greqia duket se po has çdo ditë probleme të reja për shkak të krizës ekonomike, e cila sipas kryeministrit Andonis Samaras, do të përkeqësohet gjatë këtij viti.

Muajin e kaluar kryeministri deklaroi se pritet që ekonomia të tkurret me 7% deri në fund të 2012-ës, një shifër më e lartë se reçesioni prej 5% që ishte parashikuar më parë nga Banka Qendrore e Greqisë.

Pa një progres të mjaftueshëm, Athina mund të mos marrë 30 miliardë eurot e fundit të huasë madhore prej 130 miliardë, të akorduar në muajin mars.

Ndërkohë, sa vijnë e bëhen më të forta hipotezat e ekspertëve për një dalje të shtetit helen nga zona euro, gjë që sipas tyre mund të menaxhohet pa pasur efekte në vendet e tjera të eurozonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA