Thuajse tre muaj larg zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, anketa e fundit e Gallup dëshmon një epërsi të ngushtë të presidentit amerikan, Barak Obama, ndaj kundërshtarit republikan Mit Romni, 47 me 46%.
Ekspertë dhe analistë parashikojnë se ky është sinjali i vazhdimit të fushatës deri më 6 Nëntor. Piter Braun i Institutit të Sondazheve në Universitetin Kuinipiac shpjegoi se Obama kryeson në rrafshin kombëtar dhe në ata shtete që përcaktojnë fituesin, megjithatë jo me një diferencë të madhe.
Lufta elektorale do të intensifikohet pas konventave të dy partive. Ajo e republikanëve do të zhvillohet më 27 Gusht në Tampa të Floridas, ndërsa e demokratëve më 3 shtator në Sharlot të Karolinës së Veriut. Por, në sytë e publikut, kurorëzimi i betejës elektorale mes Romnit dhe Obamës do të jenë debatet televizive.
Do të zhvillohen tre mes tyre dhe një mes dy kandidatëve për zv/president. Stafet elektorale të dy kandidatëve dhe grupet aleate për mbledhjen e fondeve të njohur si PACS apo komitetet politike të veprimit kanë shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për prodhimin dhe transmetimin e reklamave politikeve javët e fundit për të ndikuar votuesit e pavendosur.
Sipas analistëve, kjo do të vazhdojë deri në ditën e zgjedhjeve të Nëntorit.
Top Channel