Një emigrant 19 vjecar nga Iraku është sulmuar me thika dhe mjete të forta nga një grup prej të paktën pesë personash me motocikleta, gjatë mëngjesit të së dielës në qëndër të Athinës dhe disa orë më vonë ka humbur jetën në një prej spitaleve të kryeqytetit.
Sipas policisë greke krimi ka pasur motive raciste pasi para tij, të njëjtët persona kanë sulmuar një rumun dhe një maroken, të cilët kanë mundur të largohen duke i shpëtuar vdekjes së sigurtë.
Krime të ngjashme jane kthyer tashme ne nje fenomen pothuajse te perjavshem ne kryeqytet ,por edhe ne qytete te tjera te vendit. Ministri i Rendit Nikos Dhendias me një deklaratë për shtyp ka theksuar se vrasësit do të gjenden dhe do të pergjigjen para drejtësisë për këtë krim barbar.
Vrasja ndodh pikërisht në një kohë kur shoqëria greke është e tronditur nga akti i një pakistanezi në ishullin Paros, disa ditë më parë, i cili pasi ka përdhunuar një 15 vjecare greke është përpjekur ta vrasë duke e hedhur nga shkëmbinjtë.
Sikur të mos mjaftonte kjo dy ditë më vonë në këtë ishull, katër persona për të cilët dyshohet se janë shqiptarë, gjatë vjedhjes së një banke kanë qëlluar për vdekje një shofer taksie që u përpoq t’i ndalonte.
Shumë qytetarë të qëndrës së Athinës shohin me një sy pozitiv operacionin “Ksenios Zeus” që është ende në zhvillim prej policisë greke e cila ka arrestuar më shumë se 1500 emigrantë ilegale.
Në rrugët e kryeqytetit qarkullojnë shumë pak emigrantë sidomos nga vendet aziatike dhe afrikane, me frikën e arrestimit apo të sulmeve me motive raciste, për të cilat akuzohen të rinj që mbështesin partinë e ekstremit të djathtë Agimi i Artë (Chrisi Avgji).
Ndërkohë vihet re se grupet e trafikantëve të qenieve njerëzore përpiqen që tashmë të cojnë sa më shumë prej qindra mijëra emigrantëve të huaj që ndodhen në Greqi, drejt qyteteve europiane si Mynihu, Brukseli, Barcelona dhe Amsterdami.
Top Channel