Me rastin e përfundimit të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë, në Kosovë do të zhvillohet një eveniment madhor, ku do të jenë të ftuar personalitete nga e gjithë bota.

Sipas raportimeve të “RTK”, ceremonia është organizuar nga Ministria e Jashtme, e cila ka bërë një listë të gjatë të të ftuarve, që do të jenë kryesisht nga vendet që kanë njohur pavarëinë.

Në listë janë edhe ish-anëtarët e Trojkës në bisedimet për statusin e Kosovës, kryenegociatori Marti Ahtisari, përfaqësuesi i SHBA, Frank Wisner dhe ai i BE-së, Wolfgang Ischinger.

Këta të fundit, njofton burimi mediatik në edicionin e tij online, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë madhore të 10 shtatorit.

Mes të ftuarve janë kryeministra, kryesisht nga vendet e rajonit, zëvendëskryeministra, diuplomatë dhe personalitete të tjera nga vendet mike të Kosovës, që ka bërë më shumë se 4 vjet pavarësi.

Pak ditë më parë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se përgatitjet për mbylljen e proçesit të mbikëqyrjes po ecin sipas planit.

Duke folur në mbledhjen e kabinetit të tij, Thaçi nënvizoi se veprimet e institucioneve kosovare po bëhen në koordinim me ato ndërkombëtare.

“Për Kosovën po hapet një kapitull i ri me perspektivë të qartë evropiane”, u shpreh Thaçi gjatë fjalës së tij para ministrave.

Në muajt e fundit Gjykata Kushtetuese e Kosovës miratoi vendimin për mbylljen e proçesit të mbikëqyrjes së shtetit të ri, pas katër vitesh pavarësi.

Vendimi u mirëprit edhe nga faktori ndërkombëtar, përfaqësuesit e të cilit në Prishtinë deklaruan se tashmë Kosova është e aftë të mbajë vetë shtetin e saj.

Gjithësesi, fundi i mbikëqyrjes nuk parashikon largimin e misionit EULEX, i cili do të mbajë emërimin “EULEX-Kosova” dhe do të qëndrojë edhe dy vjet të tjera, deri në 2014-ën.

Kuvendi i Kosovës në shtator do të ketë para vetes për miratim një letër të nënshkruar nga presidentja Atifete Jahjaga dhe shefja e diplomacise europiane, Catherine Ashton, për çështjen në fjalë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA