Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka bërë të qartë Serbisë se lëshimet që secila palë mund të bëjë në bisedime duhet të jenë të barabarta.
“Nëse Serbia kërkon autonomi për serbët e Kosovës, duhet të përgatitet për autonominë e shqiptarëve në Serbi”, ka thënë Krasniqi për “REL”.
Ai është shprehur se, Serbia është ndërtuar në konceptin e “shtetit të qytetarëve”, ndërsa Kosova në atë të “qytetarëve të shtetit”, i cili sipas tij duhet të jetë i barazvlefshëm për të gjitha vendet.
Krasniqi ka theksuar më tej se cilado temë që të trajtohet në bisedimet Prishtinë-Beograd, ajo duhet të jetë brenda pakos së Marti Ahtisarit dhe pavarësisht personit që do t’i udhëheqë ato, nga klasa politike kosovare duhet të ketë unitet.
“Për çështjen e bisedimeve duhet një koalicion më i gjerë, do të thotë se duhet një pajtueshmëri më e madhe ndërmjet pozitës e opozitës, për të pasur një pozicion më të fortë të Kosovës në raport me kërkesat politike të vendit dhe të institucioneve ndërkombëtare”, ka nënvizuar Krasniqi.
Përsa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i jep presidentes Atifete Jahjaga mandat 5-vjeçar, kryetari i Parlamentit ka vlerësuar se vendimi është i drejtë, por nga ana tjetër nuk pengon realizimin e marrëveshjes trepalëshe PDK-AKR-LDK.
Top Channel