
Sipas mediave në Maqedoni, të cilat citojnë një kumtesë të Klinikës së
Neurokirurgjisë në Shkup, ish-lideri i PDSH-së, Arbën Xhaferri, vazhdon
të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pa vetëdije.
Arbën Xhaferri, kryetar nderi i PDSH-së, i cili vazhdon të jetë në gjendje kome, ndodhet për kurim intensiv në Klinikën e Neurokirurgjisë. Gjendja e tij përshkruhet të jetë e rëndë, ndërkohë që mjekët po bëjnë përpjekje për shpëtimin e tij, pas një gjakderdhjeje masive në tru, që Xhaferri e pësoi të mërkurën. Aktualisht, Xhaferri është vendosur në aparate për frymëmarrje.
Këtë e konfirmoi edhe neurokirurgu kujdestar në Klinikën e Neurokirurgjisë, Vladimir Mircevski, sipas të cilit, Xhaferi është në një gjendje të rëndë shëndetësore, edhe pse relativisht stabile.
“Arbën Xhaferrin në klinikë e pranuam të mërkurën mbrëma, rreth orës 21:00, si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe të humbjes së vetëdijes. Ai tani është në përkujdesje dhe i është dhënë terapia e duhur. Megjithatë, gjendja e tij momentale është e rëndë. Janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura dhe mjekimi i tij po vazhdon”, deklaroi Mircevski. Ndërkohë që po i përgjigjej pyetjes së një gazetari për parashikimin e zhvillimeve të mundshme, Mircevski sqaroi se Xhaferri vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije. Si rrjedhojë, Mircevski theksoi se askund në botë nuk jepen parashikime për sëmundjen gjatë 48 orëve të para të pranimit të pacientit në spital. Ish-kryetari i PDSH-së ka vite që vuan nga sëmundja e Parkinsonit, megjithëse, sipas doktorit Mircevski, kjo sëmundje nuk ka ndikuar në gjendjen e tij aktuale.
Top Channel