Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi nuk ndal kritikat ndaj KFOR-it. Rexhepi akuzon drejtpërdrejt misionin e NATO-s, që sipas tij qëllimisht nuk po i heq barrikadat në veri të Mitrovicës.

Rexhepi thotë se, komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, nuk ka nevojë t’i marrë personale këto kritika por, ato t’i marrë ashtu siç janë ngase në veri KFOR-i ka mundur të bëjë më shumë.

“Misioni i KFOR-it mund të them se është misioni më i suksesshëm ndërkombëtar deri më tani. Mirëpo këtu është një pjesë ku KFOR-i ka mundur të bëjë më shumë, por nuk ka bërë. KFOR-i ekziston dhe ka kredibilitet tek qytetarët, por edhe tek institucionet e Kosovës, ndaj këto kritika gjenerali nuk duhet t’i marrë si personale. Ai duhet t’i marrë si të tilla. Ndoshta ato lidhen edhe me vetë komandën e tij personale”, ka thënë Rexhepi.

Megjithëse shumë barrikada janë larguar, Rexhepi përmend atë mbi lumin Ibër, e cila mbetet e palëvizur e që sipas tij, ajo do të mund të largohej vetëm për dy orë.

“Fizikisht barrikadat mund të hiqen shumë shpejt, për një orë ose dy. Është çështja që të mos shkaktohen tensione dhe dhunë. Në atë drejtim kalkulohet, përndryshe fizikisht shumë shpejt hiqen pa ndonjë problem”, ka vijuar Rexhepi.

Ndërkohë një ditë më parë komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, gjatë një vizite në Mitrovicë ishte shprehur se barrikada mbi urën kryesore barrikadë është barrikadë turpi, ngase ka karakterin e ndarjes së një qyteti, që realisht, sipas tij, nuk është i ndarë.

Ndërsa zyrtari ilegal serb në veri të Kosovës, Kërstmir Pantiç deklaroi se barrikada serbe në Mitrovicë është simbol i rezistencës së serbëve ndaj dhunës së Prishtinës dhe jo simbol i turpit, siç e quajti Drews. 

Rreth 2.500 serbë me pasaporta kosovare

Rreth 2 mijë e 500 serbë deri më tani kanë marrë pasaportat biometrike të Kosovës, ndërkohë që shumë shpejt pritet të përgatiten edhe letërnjoftime biometrike, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi.

“Për komunitetin serb kemi diku tek 43 deri në 44 mijë letërnjoftime, ndërsa pasaporta 43 mijë e 537. Pasaporta biometrike nga komuniteti serb deri tani janë rreth 2 mijë e 384”, ka deklaruar Rexhepi.

“138 mijë pasaporta biometrike janë prodhuar deri më tani në Kosovë, prej tyre rreth 13 mijë e diçka janë shpërndarë nëpër konsullata të ndryshme, që i bie diku 10% e pasaportave që i kanë marrë nëpër konsullata të ndryshme, që janë një numër goxha i madh”, ka saktësuar ai.

Gjatë një vizite që i bëri departamentit të prodhimit të pasaportave, ministri i Brendshëm ka thënë se, shumë shpejt do të nisë edhe prodhimi i letërnjoftimeve biometrike, por edhe patentave tëshoferëve.

Rexhepi ka thënë gjithashtu se në kohën kur mërgimtarët janë në Kosovë, dokumentet u përgatiten edhe për vetëm pesë ditë, ndërsa ka shpjeguar se në raste urgjente janë bërë pasaporta edhe për dy orë, ashtu siç parashihet me udhëzime administrative. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA