
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është kundër bisedimeve politike me Serbinë. Sipas tij ky proces ka përfunduar në Vjenë dhe sot askush s’ka mandat ta rikthejë në tavolinë.
Në një intervistë për “Top Channel”, Mustafa thekson se për këtë çështje duhet të vendosin qytetarët e Kosovës nëpërmjet referendumit si dhe Kuvendi me shumicë votash.
“Sot nuk mund të ulemi dhe të hapim bisedat që kanë qenë aktuale në një moment të shkuar, e që prekin organizimin e brendshëm dhe kushtetuën e shtetit të Kosovës. PDK nuk mandat nga qeveria, parlamenti apo populli i Kosovës nëpërmjet një referendumi, prandaj këto bisedime, janë si historitë e Don Kishotit. Nuk do të ishte legale që një institucion i yni të hyjë në këtë proces, thjesht sepse nuk ka mandat për këtë. Një mandat mund ta japin vetëm qytetarët dhe vështirë se një qytetar i Kosovës mund të pranojë që të rikthehen bisedimet për sovranitetin apo statusin politik të vendit”, theksoi Mustafa, i cili siguroi se LDK-ja nuk është kontaktuar asnjëherë për këtë çështje.
Zgjidhja për veriun sipas tij nuk mund të gjendet në tavolinë bisedimesh me Serbinë, por nga faktori ndërkombëtar, i cili duhet t’i bëjë presion Serbisë për lirimin e territorit nga strukturat kriminale serbe.
“Këtë problem mund ta zgjidhin ndërkombëtarët, me anën e një presioni pozitiv, siç është ushtruar ndaj nesh. Kjo duhet të shërbejë që Serbia dhe Presidenti Nikoliç të ndërgjegjësohen duke tërhequr strukturat paraushtarake. Duhet të mbyllen kufinjtë, që të mos zhvillohet kontrabandë, krime ekonomike dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Kështu mund të zgjidhet problemi”, sugjeroi Mustafa.
Kreu i LDK-së e quajti të panevojshëm insistimin e “Vetëvendosjes” për bashkim të opozitës, pasi sic tha ai LDK-ja e ka qëndrimin e vet kundër bisedimeve.
Mustafa komentoi edhe një intervistë të kryeministrit , i cili kur kishte folur për kompromiset që mund t’i bënte në bisedimet me Serbinë kishte përmendur vetëm respektimin afirmativ të komuniteteve pakicë. Edhe ne këtë pjesë, Mustafa tha se Kosova ka respektuar mjaftueshëm pakicat me pakon e Ahtisarit dhe kushtetuten e saj.
I pyetur për mundësinë e arritjes së traktatit të paqes me Serbinë, siç ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, kreu i LDK-së dha këtë përgjigje: “Unë mendoj se nuk kemi nevojë për traktat paqeje me asnjë prej fqinjëve tanë. Lufta ka përfunduar për kosovarët dhe edhe serbët duhet ta kuptojnë këtë gjë. Ajo duhet të konsiderohet e përfunduar nga të gjithë dhe nëse ka një traktat që duhet nënshkruar, ai është vetëm traktati i demokracisë me të gjithë fqinjët”.
Në këtë intervistë, Mustafa zbuloi gjithashtu detaje të tjera të takimeve me, Thaçin, Pacollin e Dellin për propozimin e emrit të presidentes. Ai tha se edhe Jahjaga është palë e marrëveshjes sepse ka marrë pjesë në takime dhe është pajtuar me të gjitha pikat e marrëveshjes përfshi edhe mandatin e shkurtuar të saj.
“Jahjaga ka qenë edhe ajo palë e marrëveshjes. Jemi marrë vesh mes nesh dhe ambasadën e SHBA-ve për të kandiadutar Jahjagën për president. Ajo u ftua në takim, iu prezantuan kushtet me të cilat u morëm vesh dhe ajo i pranoi. i pranoi edhe në deklaratën kur u zgjodh në Kuvend i përsëriti. Prandaj, ne mendojmë se nuk mund të kemi një president apo kryeministër që nuk i përmbahet fjalëve të veta”, shtoi Mustafa.
Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjatjen e mandatit, Mustafa e quajti tërësisht politik. Ai mohoi zhvillimin e takimeve të reja me akteret e marrëveshjes duke thënë se është në pritje të zbatimit të saj. Në të kundërtën, LDK-ja këmbëngul se do të bllokojë reformën zgjedhore dhe kushtetutese, por edhe çdo gjë tjetër e cila kërkon votat e shumicës në Kuvend.
Top Channel