Papunësia në Greqi ka prekur nivele rekord gjatë muajit maj, sugjerojnë të dhënat e publikuara nga instituti kombëtar i statistikave.

Sipas burimit, kuota e papunësisë është ngjitur në 23.1 për qind në muajin maj, nga 22.6 për qind që ishte në muajin e kaluar. Më shumë se gjysma e të rinjve, të moshave nga 15 në 24 vjeç, janë të papunë.

Shifra për këtë kategori është rritur në muajin maj në kuotën 54.9 për qind, nga 51.5 për qind që ka qenë në prill, dhe është më e larta në radhët e 27 vendeve anëtare të BE-së.

Greqia duket se nuk po sheh dritë në fund të tunelit të gjatë të krizës ekonomike, e cila sipas kryeministrit Andonis Samaras, do të përkeqësohet gjatë këtij viti.

Muajin e kaluar kryeministri deklaroi se pritet që ekonomia të tkurret me 7% deri në fund të 2012-ës, një shifër më e lartë se reçesioni prej 5% që ishte parashikuar më parë nga Banka Qendrore e Greqisë.

Pa një progres të mjaftueshëm, Athina mund të mos marrë 30 miliardë eurot e fundit të huasë madhore prej 130 miliardë, të akorduar në muajin mars.

Ndërkohë, sa vijnë e bëhen më të forta hipotezat e ekspertëve për një dalje të shtetit helen nga zona euro, gjë që sipas tyre mund të menaxhohet pa pasur efekte në vendet e tjera të eurozonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA