
“Përshëndetje, unë quhem Tracey Jacobson dhe kam nderin të jem tashmë ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Bashkëshorti im Dejvid dhe unë jemi këtu në Great Falls, që është një nga parqet lokale më i preferuar për ne”.
Nëpërmjet këtij video-inçizimi në gjuhen shqipe, diplomatja e re amerikane ka prezantuar veten para qytetarëve të Kosovës.
Ajo thotë se ka studiuar gjuhën shqipe, se i pëlqen natyra dhe se mezi pret të eksplorojë natyrën e Kosovës dhe të njohë kulturën dhe traditat e saj.
Ndryshe nga paraardhësit e saj, mbase edhe komunikimi me qytetarët dhe më gjerë do të jetë me i lehtë pasi diplomatja e re flet shqip.
“Mezi pres të bashkëpunoj me qeverinë dhe popullin e Kosovës për t’i forcuar më tej lidhjet tona të miqësisë. Misioni im do të vazhdojë të jetë ai i një partneri të fuqishëm në përpjekjet për forcimin e një demokracie shumetnike dhe të një ekonomie të suksesshme drejt rrugës evropiane”, thotë Jacobson.
Jacobson, e cila ka 24 vjet që punon si diplomate dhe tani mëson brezat e rinj të diplomatëve amerikanë, shprehet mëse e interesuar që të jetë sa më shpejt në Kosovë.
“Kam studiuar vetë gjuhën shqipe dhe unë jam e bindur se ju do të më ndihmoni për ta mësuar edhe më mirë. Pres me padurim të punoj në krye të stafit të përkushtuar të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, si dhe të bashkëpunoj me qeverinë dhe popullin e Kosovës, për t’i përforcuar më tej lidhjet tona të miqësisë. Mirupafshim në Kosovë!”, vijon ambasadorja.
Zonja Jacobson gjatë kësaj jave do të mbërrijë në Prishtinë. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara është pasardhëse e Christopher Dell, i cili ka shërbyer deri tani në Kosovë.
Top Channel