Qytetarët e Maqedonisë përmes protestave do të shprehin revoltën e tyre nga vala e re e shtrenjtimeve.

Në rrjetin social “Facebook”, për të martën e ardhshme janë paralajmëruar protesta në Shkup dhe në qytetin e Manastirit kundër rritjes së çmimit të ngrohjes qëndrore, energjisë elektrike dhe karburanteve.

Këto tubime të qytetarëve do të përkrahen edhe nga shoqëria civile. Përfaqësuesit e lëvizjes qytetare “PYKA” thonë se shtrenjtimet e fundit godasin drejtëpërdrejtë standardin e jetesës së qytetarëve.

“Do të përkrahim protestat qytetare gjithë-popullore që do të mbahen këtu në Shkup dhe në qytete tjera, me qëllim të senzibilizimit të opinionit se në Maqedoni shteti nuk kujdeset për qytetarët e vet dhe lejon që ata të jenë “viktimë” e kompanive të ndryshme që i plaçkisin ata përmes sistemit”, u shpreh Ramadan Ramadani, anëtar i lëvizjes qytetare “PYKA”.

Nga lëvizja qytetarë “PYKA” vlerësojnë se shtrenjtimet e fundit do të prekin më tepër qytetarët shqiptarë, për shkak të shkallës së lartë të papunësisë që mbizotëron në rajonet shqiptare në Maqedoni.

“Sigurisht, kjo së pari do të prekë ata që janë në pragun e mbijetesës sociale, një numër i madh i tyre janë edhe shqiptarë. Por, këto shtrenjtime përbëjnë shqetësim gjithëqytetar dhe besoj se gjithë qytetarët në Maqedoni duhet të reagojnë në mënyrë masive ndaj këtyre shtrenjtimeve”, shtoi Ramadani.

Ndërsa çmimi i karburantëve në Maqedoni po shënon rritje të vazhdueshme, nga java e kaluar qytetarët morën edhe një goditje të re, me rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 10%.

Kjo valë e shtrenjtimeve do të ketë efekt edhe në cmimet e produkteve tjera. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, produktet ushqimore krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, shënojnë rritje prej 1.8 për qind, ndërsa shpenzimet e jetës për 2.3 për qind.

Top Channel